Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se të hyrat buxhetore vjetore janë rritur vitin e kaluar.
Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, Murati deklaroi se përgjatë tri viteve të qeverisjes, Kosova është vendi me borxhin më të ulët publik në Evropë. Duke prezantuar statistika nga viti kalendarik 2019 e deri më tani, Murati deklaroi se janë shtuar vende të reja të punës përmes projekteve dhe thirrjeve të ndryshme të Qeverisë.
Murati pohon se janë ulur borxhet nga bizneset dhe janë mijëra sosh që në mënyrë të rregullt paguajnë tatim shtetëror.
“Opozita është mësu me thanë që janë mbyllur shumë biznese. Po thotë që janë mbyllur për shembull 2 mijë biznese, ama nuk i përmend 12 mijë biznese të tjera që janë hapur”, tha mes të tjerash Murati. I pari i dikasterit të financave thotë se kurrë me parë si tani nuk ka pasur mbështetje të kredive investive, që ka ndihmuar bizneset të rrisin kapacitetet e tyre për investim, raporton Indeksonline.
“Kemi mbështet bizneset direkt edhe me masa të punësimit. Secili biznes që ka pasë mundësi dhe nevojë, ne si shtet kemi ofru mbështetjen tonë, duke filluar nga platforma ‘Superpuna’. Kemi pasë edhe masa për mbështetjen për punësimin e grave, personave me aftësi të kufizuara e shtresave të margiinalizuara”, shtoi Murati./Demokracia