Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti është Qeveria më e korruptuar që e ka pasur ndonjëherë Kosova.
Sipas Haradinajt, kontratat e shumta njëburimore e konfirmojnë këtë.
“Qeveria Kurti është qeveria më e korruptuar që e ka pasur Kosova, këtë e thotë matematika, nuk ka pasur ndonjëherë më shumë se gjatë kësaj qeverie kontrata njëburimore”, ka thënë Haradinaj në eventin e organizuar nga qeveria studentore e Institutit të Teknologjisë Rochester (A.U.K.), me rastin e 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-s.
I pyetur në lidhje me vendimin e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci për lirimin e objektit ku gjendet partia e tij, Haradinaj ka thënë se “do veprojmë ashtu siç thotë ligji”.
Kontratat njëburimore, çështje që u ngrit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë qenë temë e diskutimit edhe në Kuvendin e Kosovës, por deputetët e pushtetin e patën lëshuar seancën. Opozita akuzon se pushteti ka nënshkruar kontrata të shumta pa procedura negociuese./Demokracia