Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, në paraditen e 13 marsit, kryeministri Albin Kurti njoftoi se ka marrë vendim për transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit.
Demokracia.com ka siguruar dëshminë se pronat janë regjistruar.
Të martën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nëse është kryer gjithçka sa u përket tokave rreth Manastirit të Deçanit.
“Ka pasur mospërputhje teknike, të cilat janë adresuar të gjitha nga Agjencia Kadastrale. Aty janë parcelat me numra, janë emërtimet e veçanta..”, tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Kurti tha se do të njoftojë për çështjet teknike kur të ketë një njoftim nga Kadastri, deri sa shtoi se kjo duhet të përfundojë tani.
“Shikoni, me sa di unë, është kryer gjithçka. Por, për këto çështje teknike, besoj që do të ju njoftojmë atëherë kur ta kemi një njoftim nga Kadastri. Dhe kjo duhet të përfundojë tani meqenëse Dora Bakoyanis është ajo që duhet ta dorëzojë raportin te Komiteti”, tha kryeministri Kurti.
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë konfirmoi të mërkurën se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 20 hektarë tokë në Kadastrën Qendrore të Kosovës në Prishtinë.
“Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë që është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët. Me këtë ne mundemi të konkludojmë se procesi i kahershëm ligjor që është zhvilluar rreth 24 hektarëve tokë të Manastirit të Deçanit më në fund është zgjidhur”, thuhet në njoftimin e tyre më 20 mars.
Më 13 mars, kryeministri Albin Kurti njoftoi se i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që të transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Ai tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni që do të mbahet në prill.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës ishte kritikuar nga zyrtarët lokalë në Deçan dhe një shoqatë e historianëve në këtë komunë, që e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të padrejtë.
Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht i kishte kërkuar Kosovës që të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me 24 hektarë tokë të Manastirit të Deçanit.
Pasi Qeveria Kurti lëshoi pe për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit, tanimë në Këshill të Evropës do të ketë një lëvizje në drejtim të aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Raportuesja greke, Dora Bakoyannis, më 27 mars do të paraqesë raportin e saj për Kosovën në një mbledhje urgjente të Komitetit për Çështje Politike në Paris.
Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës ka konfirmuar që më 27 mars do të prezantohet raporti për Kosovën që përmban një draft-opinion.
“Në të vërtetë një mbledhje e Çështjeve Politike të Asamblesë do të zhvillohet më 27 mars në Paris, në të cilën zonja Bakoyannis synon të paraqesë raportin e saj që përmban një draft-opinion”, tha Divizioni për Komunikim i PACE për Express.
”Pasi Kosova ia regjistroi pronën Manastirit të Deçanit, sot u caktua një takim urgjent”, ka thënë për mediat përfaqësuesja e Serbisë atje. /Demokracia.com/