Ambasadori aktual i ShBA-së në Beograd, Christopher Hill, është njëri nga personat kyç të administratës së presidentit Bill Clinton, të angazhuar drejtpërdrejtë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, që kulmoi me bombardimet e NATO-s mbi Serbinë dhe çlirimin e vendit tonë.
Hill, si një diplomat i shquar, ishte i dërguar special i ShBA-së në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Ambasadori Hill dhe zyrtarët e tjerë amerikanë dihet botërisht se anën e kujt e mbajtën në vitet më të rënda për Kosovën dhe popullin e saj.
Megjithkëtë, 24 vite pas çlirimit të Kosovës, drejtuesit aktualë të shtetit, presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca, i kanë bërë të zakonshme dhe pothuajse të përditshme deklaratat përplasëse e plot akuza në drejtim të zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me gjuhë të tillë, të ashpër dhe aspak të arsyeshme, presidentja Osmani i është drejtuar ambasadorit Hill, i cili, i ndikuar nga raportet e acaruara mes Qeverisë Kurti dhe ShBA-së, nga Beogradi dha një lajm të keq se aktualisht Serbia është më afër NATO-s se Kosova.
Presidentja Osmani në vend të një reagimi të matur ndaj ambasadorit amerikan, ka zgjedhur gjuhën e ashpër, duke ndjekur linjën përplasëse të Kurtit.
Sipas Osmanit, me deklaratën e tij, Hill po ofendon viktimat e Millosheviqit.
“Serbia është është shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive. Kështu që më lejoni të them troç: kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet që është afër NATO-s nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht i ofendon edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit”, ka thënë Osmani. /Demokracia.com/