VIDEO | Kurti që bllokoi Kosovën me protesta të dhunshme arsyetoi vendimin për Manastirin e Deçanit me fjalët “askush nuk të drejtë t’ia ndalë Kosovës dhe popullit…”

- in Lajme

“Në ushtrimin e gjykimit për këtë çështje, jam prirë nga arsyeja e shëndoshë. Askush nuk ka të drejtë t’ia ndalë Republikës së Kosovës të drejtën për të qenë shtet i barabartë me çdo shtet tjetër të kontinentit tonë, askush nuk ka të drejtë t’ia humbasë qytetarëve të Republikës të drejtën që të ndihen qytetarë evropianë duke pasur të drejtën për t’iu qasë Gjykatës Evropiane për të Drejtave të Njeriut e dhjetëra mekanizmave tjerë që përbëjnë makinerinë demokratike pan-evropiane të Këshillit të Evropës”.

Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit, më 13 mars 2024, derisa po arsyetonte vendimin me anë të së cilit urdhëronte Agjencinë Kadastrale të Kosovës që t’ia regjistronte si pronë të vetën 24 hektarët Manastirit të Deçanit, që ia kishte dhuruar Sllobodan Millosheviqi në vitin 1997, shkruan Demokracia.com.

VIDEO:

Kjo deklaratë do të ishte krejtësisht normale nëse do të thuhej nga një politikan, i cili gjatë aktivitetit të tij si opozitar të mos “ia kishte humbur qytetarëve të Kosovës të drejtën për t’u ndjerë qytetarë evropianë…”.

Por, kryemininistri i Kosovës, Albin Kurti, si opozitar, e ka bërë pikërisht këtë, duke bllokuar zhvillimin dhe konsolidimin normal të Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht edhe sanksionimin e qytetarëve të shtetit të ri.

Albin Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, përmes dhunës në Kuvendin e Kosovës dhe në rrugët e Kosovës, për një dekadë kanë bllokuar zhvillimin normal të Republikës së Kosovës dhe proceset e saj integruese, siç ishte rasti me liberalizimin e vizave, proces i cili u vonua për vite të tëra pikërisht për shkak të dhunës në Kuvend dhe bllokimit të jetës institucionale.

Për një dekadë, Kurti dhe Vetëvendosje, kanë qenë në ballë të kundërshtimit të shumë zhivllimeve në vendin tonë, që nga marrëveshjet në dialogun me Serbinë, Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi e tema të tjera, të cilat njërën pas tjetrës po i pranon si kryeministër dhe po i mbron fuqishëm.

Gjatë opozitarizmit, Kurti dhe Vetëvendosje, i kanë krijuar këto kauza të rrejshme, me qëllimin e vetëm që të vijnë në pushtet, por sapo kjo ka ndodhur, Kurti ka ngritur flamurin e bardhë të dorëzimit, ashtu siç ndodhi me njohjen e dhuratës së Millosheviqit për Manastirin e Deçanit.

Për një dekadë, Kurti dhe Vetëvendosje, kanë qenë në ballë të opozitarizmit të dhunshëm në shtetin e sapoformuar të Kosovës, fati i të cilit është i lidhur domosdoshmërisht me konsolidimin në arenën ndërkombëtare.

Sot, Republika e Kosovës është mbrapa në zhvillimin e saj të brendshëm, por edhe në konsolidimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, edhe për shkak të kësaj bllokade një-dekadëshe.

Kurti dhe Vetëvendosje nuk kanë pranuar të dëgjonin për asnjë moment shpjegimet e të tjerëve, qofshin vendorë apo ndërkombëtarë. E vërteta u takonte vetëm atyre dhe sipas tyre politikanët tjerë po kryenin tradhti.

Kurti dhe partia e tij mbajnë përgjegjësi të madhe kombëtare për bllokimin e zhvillimit të Republikës së Kosovës.

Sot, fjalët e tij nga pozita e kryeministrit se “askush s’ka të drejtë t’ia ndalë Kosovës…” apo se “askush s’ka të drejtë t’ia humbasë qytetarëve të drejtën…”, nuk janë të një shtetndërtuesi, por të një personi që është i gatshëm të bëjë çfarëdo kompromisi e marrëveshje në dialogun me Serbinë, me qëllimin e vetëm që të ruajë pozitën e tij. / Demokracia.com /