Vetëm pas një viti e trembëdhjetë ditësh, pra pas 27 shkurtit 2023, kryeministri Albin Kurti në mënyrë të papritur ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale të Kosovës që t’i regjistrojë në emër të Manastirit të Deçanit, që menaxhohet nga Kisha Ortodokse Serbe, tokën 25 hektarëshe që Sllobodan Millosheviqi ia kishte dhuruar në vitin 1997.
Ky vendim i Kurtit ishte krejtësisht i papritur, pasi zhvillimet politike po vlonin nga tema të tjera, që lidhen me veriun e Kosovës dhe Rregulloren e BQK-së që nuk lejon përdorimin e Dinarit serb në Kosovë dhe me ardhjen në Kosovë të të dërguarit të SHBA-së, Gabriel Escobar, i cili një ditë më parë kritikoi ashpër Qeverinë Kurti për dëmtimin e partneritetit me SHBA-në.
27 SHKURT 2023 | MARRËVESHJE PËR ZYRTARIZIMN E STATUSIT TË KISHËS ORTODOKSE SERBE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023], e cila përbëhet nga 11 nene, por njëri prej tyre ka ngjallur frikë në Kosovë se është derë e hapur nga Kurti që do të shpie në autonominë e serbëve të Kosovës.
Bëhet fjalë për nenin 7, i cili nuk është përmendur asnjëherë më parë në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë, por ndodhi ashtu siç e pranoi edhe vetë Kurti të premten e 3 nëntorit, gjatë dialogut të udhëhequr prej tij.
Neni 7 ka dy pjesë përbërëse e themelore. Në pjesën e parë të tij, serbëve në Kosovë u sigurohet një nivel i duhur i vetëmenaxhimt dhe një kanal i drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës. Ndërkaq, në pjesën e dytë të të njëjtit nen, Kosova ka marrë obligime që ta zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe.
“Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, thuhet në pjesën e dytë të nenit 7.
Pikërisht kësaj pjese të dytë të nenit 7 do t’i shërbejë vendimi i datës 13 mars 2024 i kryemnistrit të Kosovës, Albin Kurtit, me anë të së cilit është udhëruar Agjencia Kadastrale e Kosovës t’i regjistrojë në emër të Manastirit të Deçanit, që menaxhohet nga Kisha Ortodokse Serbe, tokën 25 hektarëshe që Sllobodan Millosheviqi ia kishte dhuruar në vitin 1997.
Çështja e statusit të Kishës Ortodokse Serbe që veçse ishte zgjidhur përmes Pakos së Ahtisaarit dhe ishte akomoduar edhe në Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës, pritet të marrë fuqi të reja pasi kur askush nuk e priste, kryeministri Kurti e ka bërë pjesë të Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023].
Andaj, mbetet të shihet se çfarë “niveli të lartë” do të ofrohet për “mbrojtjen e trashëgmisë kulturore fetare serbe”, pasi deri më tani Qeveria Kurti ka mbajtur të fshehur zhvillimin e dialogut. /Demokracia.com/