Abelard Tahiri kërkon Komision Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore

- in Lajme

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, gjatë seancës ku po shqyrtohet ‘propozim-rezoluta për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti’, ka thënë se kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë viteve 2022-23 janë burim i korrupsionit.

“Ato që kanë qenë problematike gjatë kohës së Qeverisë Kurti janë dy lloj kontratash që realisht janë burim i korrupsionit. Për një lloj të këtyre kontratave kemi shifra konkrete të cilat do t’i prezantojmë dhe për një lloj tjetër nuk kemi fare. Pra, kur flasim për kontrata sekret, ne nuk e dimë asgjë se çka ka ndodhur dhe këtu përfshihen edhe çështja e rezervave shtetërore, blerja e armëve, blerje të tjera që padyshim janë të rëndësishme. Por, për këto nuk dimë asgjë. Nuk e dimë as vlerën e tyre as llojin e produkteve që janë blerë, këtu përfshihen edhe blerja e vaksinave gjatë 2021-ës. Nëse i shohim kontratat njëburimore të autoriteteve kontraktuese, si Grup Parlamentar me hetimin që kemi bërë në shtatë institucione del që vlera totale për vitin 2022 dhe 2023 del të jetë 153,889,845 euro. Pra, janë 220 kontrata”.

Ai tha se KEK prin me këto kontrata, të cilën e quajti korporatë burimore.

“Institucionet që i kanë nënshkruar këto kontrata prin Korporata Energjetike e Kosovës, e cila i ka nënshkruar 87 kontrata në vlerë rreth 102 milionë euro, pa e përfshirë vitin 2021. 100 milionë euro nga Korporata Energjetike e Kosovës apo më mirë me thënë nga Korporata Kriminale e Energjisë së Kosovës”.

Tahiri kërkoi që të themelohet një Komision Hetimor Parlamentar që t’i hetojë këto kontrata.

“Është më se e qartë që kemi një arsyeshmëri të mjaftueshme që ta nisim një Komision Hetimor Parlamentar mbi këto kontrata. Pra, po flasim për rreth 220 kontrata njëburimore, për të cilat duhet ta kemi një Komision Hetimor Parlamentar për t’i hetuar të gjitha këto kontrata. Ne do të kërkojmë që rezoluta e prezantuar e LDK=së të plotësohet pra edhe me një pikë që kjo të jetë pikërisht Komisioni Hetimor”./Demokracia