“Nuk jam njeri që merrem me baste, por mundemi mu lidhë me bast, ndoshta me nga 1 Euro, unë lidhna që nuk kanë me mujtë me shkarku kryetarin”.
Kështu sfidonte mysafirët më 23 janar 2024, në studion e Debat Plus të RTV Dukagjinit, Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, gjatë diskutimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Deklarata:
Pavarësisht se situata në veriun e Kosovës është tepër problematike për shkak të brishtësisë së sigurisë dhe frikës se tensionet atje mund të nxiten edhe nga Rusia, të emëruarit e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në poste të rëndësishme qeveritare, vazhdojnë ta transmetojnë anën tjetër sesi i sheh proceset politike vetë kryeministri kosovar.
Parasëgjithash, situata në veriun e Kosovës është çështje sigurie, që për shkak të brishtësisë detyroi NATO-n që të shtonte numrin e ushtarëve të saj. Si dëshmi për këtë ishte ngjarja e datës 24 shtator 2023 kur një grup serbësh të armatosur me armatim ushtarakësh, sulmuan Policinë e Kosovës dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku.
Madje, më 28 shtator 2023, vetëm pak ditë pas këtij sulmi terrorist, kryeministri Kurti kërkonte që Serbia të sanksionohej, sepse në të kundërtën do ta përsëriste krimin.
“Për këtë akt, Serbia duhet të sanksionohet ndërkombëtarësisht. Nëse kalon e pandëshkuar, ajo do ta përsërisë krimin. Armatimi ushtarak që i kishin profesionistët serbë që sulmuan në Banjskë janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë”, deklaronte Kurti.
Por, megjithkëtë seriozitet të ngjarjes dhe situatës së sigurisë në këtë pjesë të Kosovës, të emëruarit me vendim të Kurtit nuk duken se janë edhe aq seriozë në trajtimin e çështjes, duke vënë edhe baste nëpër studio televizive.
QEVERIA KURTI SHPRESON SE SERBËT E VERIUT NUK DO TË DALIN NË VOTIME
Më 8 mars 2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar 21 prillin 2024 si datë kur do të votohet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Nëse mbi 50% e votuesve të këtyre komunave votojnë për shkarkimin e kryetarëve, zgjedhjet e reja për kryetarë të komunave do të mbaheshin pas 45 ditësh.
Ky do të ishte një proces i ri zgjedhor, në të cilin Lista Srpska ka shprehur gatishmëri për të marrë pjesë. Mbajtja e një procesi të ri zgjedhor, pashmangshmërisht po krijon kushtet për rikthimin në pushtet të kësaj partie, e cila në shumë raste siç ka thënë edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dirigjohet nga Beogradi.
Ani pse në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në vitin 2021, kandidatët e kësaj partie kishin fituar me rezultate të thella, me mbi 80% apo edhe gati 99%, të emëruarit e Kurtit kanë shprehur hapur bindjen, duke vënë edhe bast, se serbët e veriut nuk do t’i përgjigjen ftesës së Listës Serbe për të dalë në votime më 21 prill 2024, duke treguar joseriozitetin e lartë me të cilin po i qasen situatës atje. /Demokracia.com/