PDK: Të shqetësuar me bastisjet e Speciales, kjo përndjekje duhet të ndalet

- in Lajme

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se si parti janë të shqetësuar për bastisjet nga Dhomat Specializuara, me ç’rast të premten iu konfiskua telefoni ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.

Gruda në një konferencë për media këto bastisje i quajti spektakël duke shtuar se kjo fushatë e përndjekjes duhet të ndalohet.

“PDK shpreh shqetësimin e saj lidhur me fushatën e re të ndalimit dhe bastisje nga Dhomat e Specializuara. Kjo fushatë e përndjekjes shpërfaq dështimin e Dhomave të Specializuara”, tha ai.

“PDK kërkon që të ndalin këtë fushatë të përndjekjes dhe t’i kthehen mandatit ligjor që iu ka dhënë Kuvendi i Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

Kujtojmë se, nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, është ndaluar nga policia e Gjykatës Speciale në mbrëmjen e së premtes së 8 marsit dhe ishte dërguar në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë për intervistim. /Demokracia