Për disa ditë, një zyrtare e lartë amerikane e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), qëndroi në Kosovë. Pavarësisht se mori pjesë në disa ngjarje e zhvilloi takime me disa zyrtarë, duke përfshirë presidenten Vjosa Osmani, ajo s’u pa edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Ambasada amerikane në Kosovë, ka konfirmuar zyrtarisht për Nacionalen se ndihmës administratorja e USAID-it, Erin E. McKee nuk është takuar me Kurtin. Megjithatë, arsyet për mungesën e këtij takimi, nuk janë dhënë.
“Në funksion të rolit tonë, diplomatët takohen shpesh me përfaqësues nga qeveria, shoqëria civile, media dhe publiku. Gjatë vizitës së saj në Kosovë, Asistent Administratorja McKee theksoi prezencën 25-vjeçare të USAID-it në Kosovë dhe u takua me të rinj, gra ndërmarrëse, donatorë, media dhe përfaqësues të zgjedhur të qeverisë për të theksuar partneritetin e qëndrueshëm të USAID-it me popullin e Kosovës. Ndihmës Administratorja nuk u takua me Kryeministrin gjatë vizitës së saj.”– na tha një zëdhënës i Ambasadës Amerikane.
Mosmarrëveshjet?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë aktualisht mosmarrëeshje me Qeverinë e Kosovës. Kjo dihet edhe publikisht dhe është thënë disa herë pas vendimit për ndalimin e pagesave me dinarë serb.
Për “mosmarrëveshje me qeveri specifike”, foli McKee pikërisht gjatë vizitës në Kosovë në një konferencë të përbashkët për media pas takimit që kishte me presidenten Vjosa Osmani.
“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri specifike, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm.” – deklaroi ajo.
Ndërkohë, ambasadori amerikan në anën tjetër, para pak ditësh para thuajse gjithë mediave të Kosovës, demantoi Kurtin i cili tha se “marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-së nuk janë prekur”.
“Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të prekur nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kjo nuk është situata.” – kishte thënë ai.
McKee e takoi Kurtin në fund të 2022
Ndryshe prej kësaj radhe, McKee ishte takuar me kryeministrin Kurti gjatë dhjetorit të vitit 2022. I pranishëm madje, kishte qenë edhe ambasadori Jeffrey Hovenier.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ndihmës Administratoren për Evropë dhe Euroazi në USAID, ambasadoren Erin E. McKee.
Siç ishte përmendur edhe në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit, deri atë kohë, ndihma e USAID-it për vendin tonë kishte arritur në mbi një miliard dollar.
“U ritheksua mirënjohja për ndihmën e USAID-it për Kosovën, që deri më sot kap vlerën mbi 1 miliard dollarë, e që përshkon secilën fazë të historisë sonë të re si shtet dhe secilin sektorë të zhvillimit të vendit tonë.” – thuhej në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit./Demokracia