VIDEO | Kundërshtimet e Kurtit dhe Vetëvendosjes ndër vite për vendimin e pronave të Manastirit të Deçanit

- in Lajme

Edhe një herë Albin Kurti po zmbrapset dhe po i hanë fjalët e tij. Shumë deklarata kundër zbatimit të vendimit për Manastirin e Deçanit, kryeministri Kurti po i “gëlltit” sërish. Qeveria e tij ka pranuar ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokat e këtij manastiri, në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, me fjalime të zjarrta, për shumë vite e kundërshtuan vendimin që 24 hektarë tokë t’i jepen Manastirit të Deçanit.

Më 2013, për dallim nga sot, Kurti nuk e kuptonte se çka i duhen priftërinjve serbë ato toka, të cilat sot i veshur me petkun e kryeministrit po pajtohet që t’ia japë në heshtje.

“Manastiri i Deçanit e ka oborrin e vet dhe unë jam dakord që duhet të ketë ca tokë që i nevojitet për punë dhe jetesë priftërinjve aty. Mirëpo, jo kjo të jetë në llogari të popullatës lokale. Në fund të fundit, ata priftërinj që janë në Manastir të Deçanit kanë nevojë për tre hektarë e katër, e kështu me radhë. Po çka i duhen 1 mijë hektarë? Çka do të bëjnë ata priftërinj aty me 1 mijë hektarë? Ajo është tepër shumë, për ata tepër pak njerëz që jetojnë e banojnë aty”, thoshte Kurti në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013.

Sipas tij, xhamia, kisha, manastiri, sinagoga, teqja dhe tempujt e tjerë fetarë duhet të jenë të përqëndruar në aspektin shpirtëror e hyjnor të jetës dhe gjithësisë e jo në prona e pasuri.

“Ne kemi besuar që pas shpalljes së pavarësisë do të kemi ndëprerje të kësaj padrejtësie dhe çrrënjosje të saj e jo sforcim të saj, siç ishte rasti në Gjykatën Supreme, por mbase ky është dallimi i pavarësisë me vetëvendosje dhe pa vetëvendosje”, thoshte Kurti pa kravatë, përcjell Demokracia.com.

 

 

Njeriu më i zëshëm kundër vendimit për tokat e manastirit, që ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për kompromisin, thoshte se Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia.

“Çështja e pronësisë së tokave përreth manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë gjykatë përkatëse dhe Gjykata Kushtetuese, besoj që nuk është dashur të marrë vendim mbi një çështje, pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike. Manastiri i Deçanit, siç e dimë të gjithë, është pjesë e një mozaiku të pasur kulturor të Kosovës. Fatkeqësisht, Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Ne do të angazhohemi maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të manastirit, por edhe liderët fetarë të manastirit ta bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje përmes dialogut e marrëveshjes me popullatën lokale dhe unë besoj që një gjë e tillë është e mundur”, shprehej ai.

Edhe, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dikur e sulmonte ashpër vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, duke thënë se Kushtetuesja i ka legjitimuar vendimet e Millosheviqit për dhënien e disa hektarëve.

“Ky vendim e shpronëson edhe komunën e Deçanit, prandaj të gjitha vendimet e viteve të 90 duhet të anulohen me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës. Kjo ka ngritur pakënaqësi të mëdha në Deçan, ku ka pasur disa herë protesta, në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë komunalë dhe deputetë. Kjo tregon që vendimi ishte shumë i padrejtë”, ka thënë Konjufca.

Pos liderëve të Vetëvendosjes, kjo kundërshtohej edhe nga Dega e Lëvizjës Vetëvendosje në Deçan. Lëvizja Vetëvendosje thoshte se vendimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmon marrëveshjet antishqiptare të Millosheviqit.

“Tre vjet pas vendimit të padrejtë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ndërrmarrjet shoqërore “Iliria” dhe “Apiko” Zyra e BE-së në Kosovë ka kërkuar zbatimin e këtij vendimi. Ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi kundërshtuar vazhdimisht faljen e qindra hektarëve përreth Manastirit të Deçanit, ndër to edhe 24 hektarë të këtyre dy ndërmarrjeve”, thuhej në reagimin e tyre, përcjell Demokracia.com.

Vetëvendosje e Deçanit vlerësonte se vendimet e kohës së Millosheviqit e pastaj ato të UNMIK-ut kanë dërguar në marrjen e një vendimi nga vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës për shpronësim të këtyre dy ndërrmarrjeve shoqërore.

“Historiku i këtij konteksti fillon në kohën kur kishim një trajtim të dhunshëm nga ana e Serbisë si dhe një administratë po aq të dhunshme që nxjerrte vendime ligjore që si duket do vazhdojnë të na ndjekin edhe tani njëzet vite pas luftës. Duke u bazuar në “Marrëveshjen e dhurimit” të datës 5 nëntor 1997, pra të kohës së paraluftës, UNMIK-u e pastaj edhe vetë institucionet tona e trajtuan këtë lëndë duke i njohur dokumentet e asaj kohe e si përfundim edhe marrjen e një vendimi, i cili, po ashtu, është hallkë e kësaj padrejtësie”, thuhej tutje.

“Mospërfaqësimi i drejtë ligjor dhe moszbatueshmëria e afateve kohore për paraqitjen e provave e pastaj të ankesës, sigurisht që ka sjellë para një vendimi kaq të dëmshëm. Por, pranimi i këtij vendimi është hapi më i gabuar që mund të merret në këtë kohë. Zyra e UNMIK-ut, pas luftës, dhe tani zyra e BE-së nuk do të duhej ta legjitimonin e tani edhe ta kërkojnë aplikimin e një vendimi që ka bazë në kohën kur të gjitha tokat e Kosovës ishin nën pushtimin serb. Ne ju bëjmë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore e ndërkombëtare që kanë qenë të përfshira në këtë çështje, e posaçërisht komunës së Deçanit, që tokat e qytetarëve të Deçanit të qëndrojnë të paprekura dhe mos të përfundojnë si pjesë e pazareve, as ne tavolina lokale, por as në ato shtetërore e ndërkombëtare”, përfundonte reagimi nga Lëvizja Vetëvendosje, Dega në Deçan.

Sot, pas shumë zhurmave, sikur edhe në shumë raste të tjera, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka filluar të “taktizojë”, duke e avancuar implementimin e këtij vendimi në prag të dy mbledhjeve të rëndësishme të përfaqësuesve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, që zhvillohen gjatë prillit dhe majit, të cilat janë vendimtare për aplikimin që Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka dorëzuar në emër të Kosovës, në Strasburg, më 12 maj 2022.

Qeveria e Kurtit ka filluar komunikimin me Komunën e Deçanit që drejtohet nga partia opozitare AAK, për ta bindur kryetarin Bashkim Ramosaj që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sikurse ekzekutivi kosovar po punon edhe në drejtimin e mënjanimit të pengesave që mund t’i paraqesë Agjencia Kadastrale e Kosovës karshi implementimit të aktgjykimit të vitit 2016, që njeh Manastirin e Deçanit si pronarin legjitim të tokave në fjalë.

Rregullimi përfundimtar i pronësisë së tokave të Manastirit të Deçanit përmes respektimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si “kusht” për anëtarësimin e Kosovës në KiE ishte përmendur para rreth një muaji nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili në një intervistë kishte thënë se nuk sheh që kandidatura e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës “do të zbatohet me sukses nëse kjo çështje nuk zgjidhet”.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për vite me radhë kanë kërkuar në vazhdimësi nga qeveritë kosovare që ta respektojnë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese.

Aplikimi i Kosovës në KiE dhe procesi drejt anëtarësimit

Kosova në maj të vitit 2022 kishte aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e kishte bërë Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Më 24 prill 2023, gati një vit pas aplikimit, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, i organizatës më të rëndësishme evropiane për të drejtat e njeriut, sundim të ligjit dhe demokraci, me më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare kishte vendosur në favor të përmbylljes së etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës në KiE, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare.

Si hap i radhës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të përgatisë një opinion lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KiE, i cili pritet të paraqitet gjatë këtij muaji në Strasburg. Pas kësaj, opinioni i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili pastaj merr vendimin final për anëtarësim, i cili pritet të ndodhë në fillim të majit të këtij viti.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

Në mungesë të Rusisë, e cila më 16 mars të vitit 2022 ishte përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale, në rast se vlerësohet se Kosova i plotëson kushtet.

“Saga” me pronësinë e tokave të Manastirit të Deçanit

Kontesti juridik për atë se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyll, ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit të Deçanit, ka zgjatur 16 vjet.

Tek më 20 maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë një vendim në favor të Manastirit të Deçanit, gjegjësisht ka anuluar vendimin e Këshillit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore të Deçanit.

Gjykata Kushtetuese, gjithashtu, ka përcaktuar se vendimi i mëparshëm i Gjykatës së Lartë nga viti 2012, i cili vërtetonte të drejtën e pronësisë së manastirit mbi tokën në kontest, është “res judicata” (çështje e aktvendimit përfundimtar).

Autoritetet lokale në Deçan kanë refuzuar t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse mendojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.

Ato vlerësojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviqit, të vitit 1997, kur ka vendosur t’ia dhurojë atë pronë Manastirit të Deçanit.

Pikërisht mbi këto pretendime, deri më tash, shpesh janë thirrur edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, si dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Për ta, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese bazohet në politikën “diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë nga vitet ‘90. /Demokracia.com/