Zëdhënësi i Speciales: Rasti i Shalës kryhet këtë vit, ai i ish-krerëve të UÇK-së vështirë të parashikohet

- in Lajme

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle ka treguar se këtë vit do të përfundoj në shkallë të parë procesi gjyqësor kundër Pjetër Shalës. 

Michael Doyle është zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Të enjten, ai ka qëndruar për disa orë në Prishtinë, ku ka informuar nga afër gazetarët për proceset gjyqësore në Hagë.

Rasti i vetëm i cili pritet të përfundoj në Speciale këtë vit, Doyle thotë se është ai i Pjetër Shalës.

“Në rastin e zotëri Pjetër Shala, fjalët përfundimtare do të mbahen nga 15 deri më 19 prill. Pas fjalëve përfundimtare, rasti mbyllet dhe gjykatësit tërhiqen në një diskutim. Korniza ligjore thotë se aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditësh, vetëm nëse ndonjë rrethanë kërkon një zgjatje të mëtejme të këtij afati. Pra, mund ta shohim këtë rast këtë vit të përfunduar në shkallë të parë”, ka deklaruar për TV Dukagjinin, Michael Doyle – zëdhënës i Dhomave të Specializuara.

Ndryshe nga rasti i Shalës, rasti kryesor pranë këtyre Dhomave, ai kundër ish-krerëve të UÇK-së, është larg përfundimit.

Doyle tregon se në maj pritet të dihet më shumë në lidhje me afatet kohore të këtij procesi.

“Prokuroria deri më tani ka thënë se ata planifikojnë që ta përfundojnë pjesën e tyre, thirrjen e dëshmitarëve dhe prezantimin e rastit të tyre deri në prill të vitit 2025. Pas kësaj, mbrojtja do ta ketë mundësinë për të kërkuar hedhjen poshtë të akuzave. Pastaj mbrojtja do ta ketë mundësinë që ta paraqesin rastin e tyre dhe të thërrasin dëshmitarët. Në këtë moment nuk mund të japim një vlerësim të përgjithshëm se sa do të zgjasë procesi”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Speciales thotë se deri më tani nuk është diskutuar rreth mundësisë që të merren masa ndaj Prokurorisë, në rast se kjo e fundit e kalon afatin kohor të parashikuar për marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Sikur për të gjitha proceset gjyqësore, Doyle nuk ka dhënë shumë detaje as për rastin e Isni Kilajt.

Prej arrestimit në nëntor të vitit të kaluar, ish-kryetari i Malishevës po qëndron në paraburgim, përkundër që ndaj tij nuk është ngritur ndonjë aktakuzë. Ai u arrestua nën dyshimet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Një pjesë e konsiderueshme e seancave në Dhomat e Specializuara, vazhdojnë të mbahen në sesione të mbyllura.

“Është diçka që thjeshtë nuk mund ta parashikoj. Vitin e kaluar, trupi gjykues lëshoi disa urdhëra gojor që të siguroj më shumë publicitet në seanca. Kjo është diskutuar gjithashtu edhe javën e kaluar. Që nga ajo kohë, kemi parë më shumë dëshmitar teksa dëshmojnë në seanca publike sesa dëshmitar që po dëshmojnë me masa mbrojtëse”, shtoi tutje Michael Doyle.

Sipas kalendarit të publikuar në faqen zyrtare, Gjykata nuk do të mbaj ndonjë seancë deri më 18 mars.

/Demokracia