Të dielen bëhen 10 ditë prej kur ai që udhëheq Kosovën, nuk është në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti udhëtoi për në Mbretëri të Bashkuar më 23 shkurt.
Prej atje, i pari i Qeverisë shkoi në Irlandë, ndërsa sot, ka “zbritur” në Romë dhe i është afruar pak vendit tonë. Deri më tani, kemi parë veç një takim të nivelit të lartë nga këto “vizita”.
Për 10 ditë, Zyrës së Kryeministrit iu desh të njoftonte tri herë për vizita të atij që udhëheq Kosovën. Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda, ishin “destinacionet” siç i quajti vetë Kurti, ku ai qëndroi këto ditë, ndërsa sot ka arritur në Itali.
Më 23 shkurt, u njoftua se Kurti ka udhëtuar drejt Mbretërisë së bashkuar për të marrë pjesë në Samitin e Berzhit.Paraprakisht, ai mori pjesë në një pritje ë organizuar për Pavarësinë e Kosovës nga ambasada jonë atje.
E tha fjalën e tij në samit, nënshkroi një memorandum me BERZH-in, për të shkuar më pas në perurimin e një nisme të quajtur “Labour Friends of Kosova”.
Më pas, shefi i Qeverisë zhvilloi disa takime me disa politikanë në Irlandën Veriore, ndërsa vizitoi edhe një shkollë në Belfast, gjë për të cilën edhe u kritikua.
Kurtin në të njëjtën ditë, e pamë duke ligjëruar në një universitet atje.
Pas disa ditësh qëndrimi, më 29 shkurt ai u nis për në Irlandë. Fillimisht, takoi mërgimtarët. Edhe atje Kurti zhvilloi vizitë në një universitet.
Më 1 mars, Kurti do ta kishte, ndoshta,takimin e vetëm të nivelit të lartë prej kësaj vizite gati 10 ditore. Ai njoftoi se është pritur nga kryeministri irlandez, Leo Varadkar, i cili në janar qëndroi në Prishtinë.
Kurti “s’mungoi” veç në Kosovë
Kryeministri jonë mungoi edhe në Shqipëri, atje ku gjatë kësaj jave, u mbajt Samiti i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ani se të pranishmëve iu drejtua virutalisht, nuk është që s’u kritikua për mospjesëmarrjen fizike. Opozita e tha fjalën e saj për këtë mungesë, derisa ligjeratat e tij jashtë vendit, u konsideruan si “boshe”.
“Dhe pikërisht në këtë Samit, ndër më të rëndësishmit për shtetin tonë, Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë. Në vend të tij, ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla.” – ka thënë kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
Ndërkaq, Avdullah Hoti i LDK-së në lidhje me këtë “mungesë” të Kurtit deklaroi:
“Nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Tiranë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë se ky samit, përveç ndonjë emergjence kombëtare. Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim.”
Nga samiti prej të cilit Kosova mund të fitojë miliona euro, si shtetet e tjera të rajonit, foli Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Qysh e arsyetoi Rama mungesën e Kurtit?
“Më lini t’ju them që për arsye objektive, kryeministri i Kosovës nuk mundi të merrte pjesë për shkak të një takimi dypalësh diku në Britaninë e Madhe.” – tha ai./Nacionale/