Mbrëmë në “Debat Plus” u hap një temë interesante, e cila lidhej me diplomën e doktoraturës së Nexhmedin Spahiut. Dyshime mbi kredencialet akademike të Spahiut hodhi Lirim Mehmetaj, analist i përhershëm në këtë emision. Madje, ai tha se Spahiu nuk ka fare doktoraturë.
“Ky nuk ka doktoraturë, që tha e ka në Budapest në 99-tën. Kjo është CV-ja e tij… ky vetë po thotë që nuk ka doktoraturë, është me master. Kur nuk ke doktoraturë dhe punime shkencore, e ke të pamundur me ushtru profesionin e profesorit unvierstar, sepse nuk ke thirrje akademike”, tha ai.
Këto pretendime të Mehmetajt i mohoi Spahiu.
“Që në hapin e parë gënjeu, te biografia tregoi ku shkruante doktor shkence e injoroi. Gjysmë ore fole dhe gënjeve. S’je nivel i imi. Një student i 6-ve, fol për thirrje akademike, folur se a kam doktoraturë a jo… Kur e ke një titull doktor, pavarësisht në cilën lëmi, nuk është e nevojshme secilin drejtim titullin doktor. Doktoratura ime i ka 400 faqe”, tha Spahiu.
Debati vazhdoi edhe në rrjetet sociale. I pari që shkroi për këtë temë ishte Rron Gjinovci, analist dhe ish-moderator pak i suksesshëm. Në shkrimin e tij, Gjinovci përdori fjalë e sulme ad hominem ndaj Mehmetajn, të cilin e quajti provincial e njeri që i “lyen flokët me gell” (Nacionale e ka të vështirë të kuptojë se çfarë fuqie argumentuese është togfjalëshi “flokët me gell”).
“Nji analfabet funksional, për ma tepër nji provincial që i bon flokt me gell, po i thot “s’ki doktoraturë” personit me doktoraturë në Matematikë dhe me shumë punime e citime nga Shkencat Politike, sidomos Marrdhaniet Ndërkombëtare. Dmth rrejti, mandej kur dulë se ka doktoraturë, tha s’je i thirrun me folë në TV për Marrdhanie Ndërkombëtare se doktoraturën s’e ki në Shkenca Politike. E djaloshi provincial që i bon flokt me gell, pa asni punë serioze, po me nji portal spekulativ ku boton artikuj si “eshtrat e Ukshin Hotit kthehen këtë javë” e të cilët s’janë kthy kurrë, ky me gell në kry menon që vet është serioz dhe i thirrun me folë për najçka në jetën publike.” – shkroi ai.
Pas këtij shkrimi të Gjinovcit, reagoi vetë Mehmetaj, i cili ironizoi duke shkruar se po shkonte t’i lyente flokët me gell.
“Qe doni debat per citime, per “doktoratura” ne fusha te tjera dhe gjera te tilla, ju ftoj krejtve n’debat.
Hajdeni dore per dore. Qe e keni me lehte ne serbisht tregoni Ermalit paraprakisht se une serbishten s’e di.
Me ate rast tregojme edhe disa histori familjare interesante.
Naten se ika me hjek qeta gell p’i kreje se m’myti.” – shkroi ai.
Gjinovci e Mehmetaj e kanë shkruar edhe nga një status tjetër në lidhje me këtë temë. Në debat u përfshi edhe hoxhë Osman Musliu, i cili e mbrojti Spahiun, duke e sulmuar Mehmetajn, të cilin e quajti të “paedukatë”.
Ndaj shpjegimit të Gjinovcit me “google scholar”, reagoi një matematikan i ri, Leart Ajvazaj, që studimet i ka të përfunduara në “Yale University” e “University of Cambridge”. Në fakt, Ajvazaj ka komentuar, në disa raste me gjuhe ironike, statusin e Rron Gjinovcit, analistit që monitoron universitetet publike në Kosovë, duke e quajtur si “arbitër të së vërtetës” e “ekspert suprem”.
Në analizën e tij, Ajvazaj ka treguar gabimet, që sipas tij, i ka bërë Gjinovci në shkrimin, ku i doli në përkrahje Spahiut, postim i cili mori mbi 2 mijë pëlqime. Sipas Ajvazajt, Spahiu ka dy profile në “Google Scholar”, një platormë për mbledhjen e citimeve. Në njërin nga profilet, gabimisht, shumë citime të huaja referohen si të Spahiut, ndërsa në profilin tjetër, Spahu ka gjithsej 31 citime.