“Deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues” | Si po e lejon Albin Kurti shkeljen flagrante të Kushtetutës nga persona jozyrtar dhe të paverifikuar si Dejona Mihali?

- in Lajme

“Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”.

Kështu thuhet në nenin 70 të Kushtetutës së Kosovës, ku në mënyrë të qartë tregohet se deputetët janë të pavarur në ushtrimin e detyrës së tyre në Kuvendin e Kosovës.

Por, ky obligim kushtetues nuk përfillet nga një person që nuk ka asnjë funksion zyrtar në institucionet e Repubikës së Kosovës.

Bëhet fjalë për Dejona Mihalin, e cila të vetmen detyrë që mban zyrtarisht është funksioni i saj në partinë politike të Albin Kurtit, Vetëvendosje, si Koordinatore e Komiteteve të Lëvizjes.

Madje, ky person, shtrin ndikimin e saj mbi deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndonëse nuk ka asnjë dëshmi se ajo ka kaluar nëpër filtrat e sigurisë kombëtare.

Pushteti i saj brenda këtij subjekti politik, nuk ka asnjë dyshim se vjen me lejen e kryeministrit të Kosovës dhe njëherit kryetarit të VV-së, Albin Kurtit.

Rasti i fundit që tregon ndërhyrjen flagrante të Dejona Mihalit mbi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje është shënuar më 29 shkurt 2024.

Mediat kanë arritur që të “zënë” komunikimet mes deputetes së VV-së, Adriana Matoshit dhe Dejona Mihalit. Sipas këtyre komunikimeve, Komisarja e Komiteteve të VV-së i dërgon deputetes Matoshi një tekst të parapërgatitur për të sulmuar analistin dhe pronarin e mediumit online, “Periskopi”, Ilir Mirenën.

Mihali, një person jozytar dhe që nuk i është nënshtruar filtrave të sigurisë kombëtare, ka të drejtën që ia ka dhënë kryeministri Kurti t’i tregojë një deputeteje të Kuvendit të Kosovës se çfarë qëndrimi duhet të mbajë.

“Ish-Zv.ministri i PDK-së, njohësi i thellë i fushës së shpronësimeve në Hade, tash pronar portali “Periskopi”, ka kohë që në mënyrën më të ultë merret me mua. E kuptoj që është në opozitë dhe fondet nuk i ka më siç i kishte, por e inkurajoj për durim e vetëpërmbajtje. I bën mirë edhe për shëndetin”, është mesazhi i përgatitur nga Mihali dhe që do të postohet më vonë nga deputetja Matoshi.

Edhe më herët, mediat kanë dëshmuar se Dejona Mihali ka pushtet mbi deputetët e Vetëvendosjes dhe mbi mënyrën se si duhet të votojnë ata, pavarësisht se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ndalon ndërhyrjet në vullnetin e deputetëve.

Është e çuditshme se sa shpejt është pajisur me nënshtetësinë e Kosovës, Dejona Mihali, nga presidenja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Më 4 shkurt 2022, Dejona Mihali kishte paraqitur kërkesën e saj në adresë të presidentes Osmani, e cila me shpejtësi të madhe i ishte përgigjur pozitivisht. Më 31 mars 2022, me procedurë të përshpejtuar, Osmani e kishte nënshkruar dekretin, me anë të të cilit, Dejona Mihali ishte bërë shtetase e Republikës së Kosovës.

Mediat në Kosovë kishin ngritur dyshime për ndërhyrjen e Mihalit edhe në institucionet e tjera kushtetuese me rëndësi për sigurinë kombëtare. /Demokracia.com