Javën që shkoi me urdhër të Prokurorisë Speciale (PS), Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion në shtatë lokacione të ndryshme të Kosovës, ku janë arrestuar shtatë (7) persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës njoftoi se gjatë këtij aksioni janë sekuestruar disa vetura, armë, municion, mjete të konsiderueshme materiale, si dhe prova të tjera materiale që dyshohen se janë përdorur për kryerjen e veprave penale.
Aksioni është zhvilluar në shtatë (7) lokacione të ndryshme me dyshimin se personat e ndaluar janë përfshirë në kryerjen e veprave penale, ‘’Hyrje në sistemet kompjuterike’’, ‘’Mashtrimi’’ dhe ‘’Shpëlarje e parave’’.
Demokracia.com merr vesh se njëri prej të arrestuarve është Naser Smajli, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Shtimes.
I dyshuari për mashtrim, Naser Smajli, ka në rrjetet sociale fotografi me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, ministrin Faton Peci dhe shumë të tjera edhe me kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliun.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve lidhur me veprat penale “hyrje ne sistemet kompjuterike”, “mashtrim”, “shpërlaje parash” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se Naser Smajli, Enuarta Smajli, Daip Beqiri, Arbenita Jetullahu, Muahmed Dragobuzhda, Kushtrim Sojeva dhe Gylsere Sojeva në bashkëveprime qysh nga vitit 2021 e deri në vitin 2024 ishin paraqitur me identitet të rremë si Ueli Schmidt.
Të njëjtit thuhet se përmes telefonatave i kontaktonin viktima të ndryshme dhe i ofronin gjoja mundësinë për të investuar në kriptovaluta.
Tutje, pasi që i kishin bindur viktimat për të investuar shuma të ndryshme duke arritur vlerën e 1 milion e 900 mijë euro, ato i kishin nxitur që të dërgojnë para shtesë për tërheqjen e këtyre mjeteve.
Në këtë mënyrë, viktimat ishin nxitur dhe kanë dërguar para në vlerë prej 900 mijë euro në Kosovës, konkretisht në llogaritë bankare të të pandehurve në njërën nga bankat në Kosovë.
Gjithashtu, në kërkesë thuhet se ta dyshuarit duke përdorur platformën “Opsion 888” dhe në “Trans Gain Capital” dhe “Biance” kishin manipuluar me aplikacione fiktive për t’í bindur të dëmtuarit se investimet e tyre janë rritur.
Të dyshuarit thuhet se përsëri viktimat i kishin mashtruar me premtimin se kompania e të dyshuarve ka ekip dhe se i njëjti mund të kthejë mbrapsht tërë investimin e bërë nga viktimat.
Andaj me këto veprime, sipas PSRK, shtatë të pandehurit kishin kryer veprat penale “hyrje ne sistemet kompjuterike”, “mashtrim”, “shpëlarje parash” .
Ndërkaq, Naser Smajli po dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje, ku sipas kërkesës në shtëpinë e tij ishin gjetur një armën e gjatë A1, një armë tjetër e gjatë me dylpi, një pistoletë “Ekolles”, 27 fishekë PU me gaz si dhe 56 fishek të tjerë me gaz, një pistoletë me gaz “Zoraki”, si dhe karikator me gjashtë fishekë, të gjitha të sekuestruara nga Policia e Kosovës.
Ndryshe, PSRK kishte njoftuar më 21 shkurt 2024 për aksionin në shtatë lokacione të ndryshme të Kosovës, ku edhe kishte arrestuar shtatë të dyshuarit e lartpërmendur. /Demokracia.com/