Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj gjatë seancës të jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvend rreth Shqyrtimit të Propozim- rezolutës për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore, ka thënë se asnjëherë nuk ka parë një Qeveri si kjo e Albin Kurtit, në krye me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Sipas tij 3 vjetori i ardhjes në pushtet i kësaj partie politike, e gjen shëndetësinë tmerrësisht keq, më keq se asnjëherë më parë.
“3 vjetori i ardhjes në pushtet i kësaj partie politike, e gjen shëndetësinë tmerrësisht keq, më keq se asnjëherë më parë. Kjo qeveri, më saktësisht shëndetësia në krye me ministrin Vitia janë të paaftë, të paditur dhe dështuesit më të mëdhenj që ka pasur Kosova. Në karrieren time politike kurrë skam parë, dëgjuar e as lexuar se një Qeveri mund ta shpenzojë 75% të kohës qeverisëse pa lëne asnjë shenjë pozitive, sikurse kjo Qeveri”, deklaroi Zemaj.
Deputeti Zemaj, tha se i duhet shumë kohë për t’i listuar dështimet e kësaj qeverie, por ai listoi disa nga esencialet.
“Paaftesia në veprim e qeverisje ështe kryefjala e veprimit tuaj politik – shumë të paaftë u treguat edhe tek investimet kapitale, me vetëm 8% të buxhetit të shpenzuar nuk arritët të zgjidhni asnjë problem sektorit të shëndetësisë, kur dihen nevojat për investime kapitale gjithandej në spitalet e Kosovës. Në funksion të manipulimit me shifra, u lavduat për buxhetin e vitit 2024, i cili buxhet e vazhdon sagën e mjerimit, sepse nuk adreson nevojat, nuk ka investime te reja, pjesa dërmuese janë vazhdim i viteve të mëhershme, nuk parashihet asnjë staf shtesë, infermierë, mjek apo staf teknik. 6 milionë euro tepruan nga buxheti për blerjen e barnave, ndërsa qytetarët e Kosovës po vuajnë për doren e shtetit, listat e pritjes janë kthyer në ankth, sepse qeveria që nuk qeverisë, nuk merret me asnjë problem, vetëm krijon problem”, tha Zemaj.
Tutje deputeti Zemaj i tha Qeverisë se “Shëndetësia është e mjeruar me ju, jetesa e qytetarëve edhe më shumë. Por, ndëshkimi është dhurata më e mirë për dështakët”./Demokracia