Në fund të muajit qershor, Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e vendosura nga Bashkimi Evropiane, të cilat erdhën si përgjigje e mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe ShBA-së për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, e që përfshinin suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, e për të cilat këta të fundit patën njoftuar se “mund të ndryshojnë varësisht nga situata në terren”.
Edhe pas kaq kohësh, kur thirrjet kanë qenë të shumta nga Qeveria e Kosovës për heqjen e tyre, pasi siç janë arsyetuar ata se kanë përmbushur kushtet e dhëna nga Bashkimi Evropian, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Thirrja e vazhdueshme nga pushteti drejt BE-së po vazhdon. Madje, edhe sot, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në takimin që pati me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cilësoi këto masa si të padrejta.
Edhe gjatë javës së kaluar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Bashkimi Evropian duhet “sa më shpejtë” t’i heqë masat sanksionuese ndaj Kosovës, duke shtuar se këto kanë ndikuar në vlerësimin e Raportit të progresit.
Ai ka deklaruar se Kosova jo vetëm që s’i ka hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por as s’e ka statusin e vendit kandidat dhe s’e ka marrë pyetësorin e BE-së.
“Për këtë status nuk ka nevojë që të njohjen nga pesë vendet mosnjohëse…Vonesat në trajtimin e aplikimit po shtojnë zërat skeptikë. Masat negative të BE-së janë ende në fuqi dhe besojmë që prezenca e këtyre masave ka ndikuar në vlerësimin që është bërë në raport. Masat që janë ende në fuqi bien ndesh me përpjekjen e rajonit për integrim në BE. Është shumë e rëndësishme që BE-ja t’i heqë sa më shpejtë këto masa”, ka thënë Bislimi.
Në fillim të muajit, Bislimi në një letër që i ka dërguar emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka renditur përpjekjet që ka bërë Kosova karshi përmbushjes së kërkesave të BE-së për t’i larguar masat që blloku ka vendosur ndaj Kosovës.
Bislimi kishte lutur emisarin Lajçak që së bashku me Përfaqësuesin e Lartë Borrell, të bëjnë kërkesë urgjente dhe formale për heqjen e këtyre masave, të cilat po ndikojnë negativisht në progresin dhe reformat e Kosovës në BE.
Masat të padrejta i ka cilësuar edhe Kryeministri Kurti, pasi siç ka thënë ai Serbia po afrohet me Rusinë por që nuk po përballen me sanksione.
“Kritikuam ashpër për situatat e dhunshme në veri – një vendim i padrejtë – dhe si rezultat, BE-ja vendosi masa shtesë kundër nesh. Në anën tjetër, Serbia po afrohet me Rusinë për shkak të agresionit në Ukrainë, por nuk po përballen me sanksione”, kishte thënë Kurti.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano kishte thënë se masat ndaj Kosovës hiqen kur të ketë hapa të mjaftueshëm pozitiv.
“Sa i përket masave, natyrisht se ne po e përcjellim situatën çdo ditë nga afër. Ne kemi njerëz në terren dhe i kemi dedikuar përpjekjet dhe vëmendjen tonë për të parë se çfarë po ndodh. Ne gjithashtu po punojmë me partnerët për t’i ndihmuar për të ndërmarrë hapa të nevojshëm për të deeskaluar dhe për t’u përballur me problemet që kanë kontribuuar në krizat e fundit dhe kur hapa të mjaftueshëm poizitiv të jenë ndërmarr atëherë BE-ja do të rivlerësojë masat e marra ndaj Kosovës dhe heqjen e mundshme të tyre”, kishte thënë Stano./Demokracia