Normalizimi i marrëdhënien në mes të Kosovës dhe Serbisë duket se nuk po shihet në horizont. Dështimi i zbatimit të Marrëveshjes Bazike, e cila është pranuar nga të dy palët para një viti, mund të sjell ndryshimin e formatit të procesit të dialogut.
Monitoruesit e procesit të dialogut kanë bërë me dije se dështimi i këtij procesi mund t`i hap rrugë një procesi të ri, që do të kulmonte me organizimin e një konference ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshje përfundimtare në mes të dy shteteve.
Analisti Dukagjin Gorani ka treguar se një iniciativë të tillë mund ta ndërmarr Uashingtoni, derisa mbahen zgjedhjet në BE dhe ShBA.
“Dyqani mbyllet në mars në Bruksel. Dhe sipas asaj që po flitet është që në qet periudhën e vakumit, deri në themelimin e institucioneve të reja evropiane e deri në përfundimin e zgjedhjeve në Amerikë, unë mendoj që Uashingtoni ka me marrë përsipër një lloj shok të terapisë, i cili mundet me u manifestu përmes kërkesës për një konferencë ndërkombëtare”, ka thënë Gorani në emisionin “Pressing”.
Ai ka sqaruar se kjo do të mund të ndodhte për shkak të dështimit të procesit të tanishëm të dialogut për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
“Procesi i normalizimit ka nënkuptuar, që përmes ndërmjetësimit të bashkësisë ndërkombëtare Kosova dhe Serbia se paku e arrijnë nivelin e një fqinjësie të mirë, nëse jo të një miqësia. Çka mundemi na me konstatu një vjet pas kësaj marrëveshje është që kurrë më larg fqinjësisë së mirë nuk kemi qenë, ndërkohë që për ndonjë bashkëpunim rajonal nesër ose për ndonjë koalicion të mundshme ballkanik, qysh zakonisht edhe bëjnë shtetet, nuk bëhet fjalë hiq se hiq”, ka thënë Gorani, duke shtuar se moszbatimi i marrëveshjes në fjalë tregon se ujdia në mes të Kosovës dhe Serbisë është nuk është e mirë.
“Nëse Marrëveshja Bazike është e mirë, pse nuk është implemetuar që një vjet? Natyrisht, që nuk është marrëveshje e mirë, është marrëveshje që na ka mbetur të dera. Bashkimi Evropian e ka bërë maksimumin që ka mundur brenda këtij mandati. Prej marsit Evropa shkon në zgjedhje”, ka thënë Gorani, shkruan Nacionale.
Mundësinë e një organizimin të një konference të tillë nuk e ka përjashtuar as Ministri për Komunitetet dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashi.
Ai ka thënë se diplomatët mund të lodhen me Kosovë dhe Serbinë për shkak të moszbatimi të marrëveshjes.
“Unë konsideroj që nëse vazhdohet kështu me diplomaci kjo mund të zgjatet shumë dhe pasi që e kemi përmend dhe letrën e Macronit, ne e dimë të gjithë që ata diplomat e humbin durimin me Kosovën dhe Serbinë, ku tërë kohën duke negociu me zbatimin e njëpjesshëm ose me akuza ndaj njëri-tjetrit. Kështu që, fatkeqësisht është reale që mund të ketë një konferencë të tillë, e cila do ta përmbyllte me një marrëveshje. Dhe unë para disa viteve kamë pasë një konferencë ku edhe pse e di që bashkëqytetarët tanë nuk kanë dëshirë që të dëgjojnë një gjë të tillë”, ka thënë Rashiq në Tëvë1.
Konferenca u përmend edhe vitin e kaluar
Mundësinë e organizimit të një konference të tillë e kishte përmendur vitin e kaluar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ai kishte propozuar një konferencë në të cilën Kurti dhe Vuçiq do të mbylleshin deri në arritjen e një marrëveshje përfundimtare.
“Të dy liderët të merren dhe të mbyllen brenda në një konferencë noramlizimi, pa të drejtë dalje deri kur të përfundoj bashkëbisedimi që të trajtohen ato pika, që askush nuk i kundërshton, por në të njejtën kohë secili ia hedh tjetrit fajin pse nuk zbatohen, sepse s’ka vullnet. Ky është fakti. Ka edhe një dehje nga ky karshilleku me gjithë planetin demokratik, në emër të nuk e di se çfarë. Por realiteti i përditshëm sot, po bëhet bazë për një realitet shumë negativ nesër, në të gjitha aspektet”, kishte thënë Rama.
Madje, ideja e kryeministrit shqiptare ishte përkrahur edhe nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, ishte shprehur Michel.
Por, kjo ide nuk i kishte pëlqyer kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai ishte shprehur skeptik për organizimin e një konference të tillë.
“Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti, në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit. Krejt çka duhet bërë është që pa kushte të implementohet ajo marrëveshje bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer e të balancuar. Kjo duhet të bëhet dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, ishte shprehur Kurti.
Një nismë e tillë nuk është e re. Në vitin 2019 një gjë të tillë e kishte mëndur edhe Ramush Haradianj, i cili ishte në krye të Qeverisë së Kosovës në atë kohë.
Në letrën që iu kishte dërguar vendeve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian, Haradinaj kishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian iniciimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Demokracia