Qeveria realizoi vetëm 36% të aktiviteteve të parapara të përfundojnë gjatë vitit 2023

- in Lajme

Lëvizja FOL ka mbajtur  këtë të mërkure një konferencë për medie, ku ka publikuar të dhënat nga monitorimi i Planit Vjetor të Punës së Qeverisë, tashmë i quajtur Plani Kombëtar për Zhvillim e ku u tha se  Qeveria e Kosovës realizoj vetëm 36 % të aktiviteteve të parapara të përfundojnë gjatë vitit 2023

Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, tha se edhe këtë vit FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim.

“Qeveria e Kosovës nga 655 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-dhjetor 2023 ka arritur të realizoj vetëm 234 apo 36%, nuk i ka realizuar 151 apo 23 %, dhe nuk kanë kthyer përgjigje për 270 aktivitete apo 41 %”, theksoi Kastrati duke shtuar se numrin e madh të aktiviteteve pa përgjigje e kanë shtuar edhe tri ministritë që nuk janë përgjigjur fare e që kanë pasur një numër të madh të aktiviteteve të parapara.

Kastrati shtoi gjithashtu se Zyra e Kryeministrit, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk janë përgjigjur fare në pyetësorin e dërguar nga ne, dhe gjithashtu një numër i madh i ministrive kanë lënë pyetje pa përgjigje.

Gjithashtu, Kastrati shpjegoj se të gjitha aktivitetet e parapara të përfundojnë brenda periudhës janar-dhjetor 2023 përmes pyetësorëve u janë dërguar sekretarëve të përgjithshëm të ministrive./Albanian Post/