Shkarkohet kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci

- in Lajme

Kuvendi i Komunës së Prishtinës në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur sot, të thirrur nga VV-ja, ka shkarkuar kryesuesin e kuvendit komunal, Pëllumb Bajqinovcin.

Nga 33 anëtarë të Kuvendit që morën pjesë në këtë votim, me 33 vota pro është shkarkuar kryesuesi Pëllumb Bajqinovci.

Shefi i këshilltarëve të LVV-së, Gëzim Sveçla tha para asamblistëve se Bajqinovci kishte dështuar në përmbushjen e detyrave të tij.

“Bajqinovci ka dështuar në përmbushjen e detyrave të tij. Me qëllim të kthimit të funksionalitet të kuvendit, propozojmë që të votojmë për shkarkimin e tij. Ju ftoj që ta përkrahni propozimin tonë”, tha Sveçla.

Inicimi për shkarkim të kryesuesit ka ardhur pas prishjes së koalicionit LDK-PDK në nivelin ekzekutiv, duke e lënë në pushtet LDK-në, që tashmë është pakicë në Kuvendin e Komunës.

Nora Kelmendi, asambliste e VV-së, në konferencën për media gjatë javës së kaluar tha se Prishtina është pa Kuvend, pasi është harruar nga Kryetari Përparim Rama dhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajqinovci.

“Viti 2024 është vit i ndryshimeve i cili shpërfaqi fytyrën e vërtetë të qeverisjes në Komunë. Sot jemi në një Prishtinë pa vizion, pa udhëheqje, pa kryetar. Viti ka filluar me shkarkime, formime të drejtorive të reja, me drejtorë të rinj. Filloi gjithçka me shkarkime dhe ngarkime të panevojshme. Me një kryetar ngarkim e shkarkim. Prishtina pa Kuvend që është harruar nga Kryetari e Kryesuesi. U harrua obligimi ligjor që të mbahen 10 seanca në vit”.

“Duke u nisur nga këto, VV me përkrahje edhe të partive tjera ka iniciuar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës, shkarkimin e Kryesuesit Komunal”, tha Kelmendi, derisa ka bërë thirrje që të votohet.

Pëllumb Bajqinovci u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal më 21.07.2023 pas shkarkimit të Fehmi Kupinës më 27.06.2023 pas propozimit të LDK-së, shkarkim të cilin opozita e ka quajtur të paligjshëm dhe që nuk janë respektuar opinionet ligjore të Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Në fillim të këtij muaji, PDK njoftoi për dalje nga koalicioni qeverisës me LDK-në në Komunën e Prishtinës duke i hapur kështu rrugën krijimit të një shumice të re. Shkak për prishje të koalicionit, sipas PDK-së, ishte moskoordinimi dhe mostrajtimi si partnerë lidhur me hartim të agjendës dhe pikave që shkojnë në Kuvend Komunal, me theks, mosdakoridmi për këmbim të pronës private në zonën e mbrojtur në Badovc me pronën publike në lagjen ‘Prishtina e Re’./Demokracia