Rizvanolli zbulon pse po ikin njerëzit nga Kosova: Mbetën mbyllur gjatë pandemisë, tash kanë nevojë të lëvizin

- in Lajme

Emigrimi i mijëra kosovarëve në drejtim të shteteve perëndimore sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po ndodh meqë atyre iu pamundësua lëvizja gjatë pandemisë, pasi ishte e kufizuar për shkak të masave anti-COVID.

“Duhet ta kemi parasysh kur flasim për emigrimin e që mendoj që nuk është duke u diskutuar mjaftueshëm ose hiç. Në vitin 2020 kemi pasur pandeminë që e ka bllokuar komplet lëvizjen. Madje edhe për turizën edhe për çfarëdo arsyeje nuk ka pasur lëvizje pothuajse fare”, tha Rizvanolli gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Edhe gjatë vitit 2021 sipas saj lëvizja ka qenë goxha e kufizuar për shkak të efekteve të pandemisë, duke shtuar se “natyrshëm që do të rritet emigrimi në vitet pasuese”.

“Kjo duhet të pas parasysh, por edhe niveli emigrimit edhe nga vendet e rajonit që është shumë i lartë se sa në Kosovë”, potencoi ajo.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2021 tregojnë se nga Kosova janë larguar mbi 42.000 banorë.

Emigrimi i rregullt, sipas ASK-së, është bërë për disa arsye: bashkim familjar, martesë, gjetje e një vendi të punës, studime afatgjata e të tjera.

Po sipas ASK-së, në vitin 2020 – kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit – nga Kosova kanë emigruar mbi 8.000 veta; më 2019 mbi 34.000; më 2018 mbi 28.000.

/Demokracia