Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi, në një konferencë për shtyp ka zbuluar detaje nga plani i masave të ndërmarra nga Policia e Shtetit, për mbarëvajtjen e Samitit për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, ku pjesëmarrës do jetë dhe presidentit ukrainas Volodymir Zelensky.
Fjalimi i plotë: Përshëndetje! Siç jeni bërë me dije, në datat 28 dhe 29 shkurt, në Tiranë, do të zhvillohet Samiti për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrje të shumë delegacioneve me nivel të lartë përfaqësimi nga Europa Juglindore, Ukraina dhe vendet e rajonit.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Gardën e Republikës dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, ka hartuar një plan të detajuar masash, për garantimin e rendit publik, para, gjatë dhe pas aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre 2 ditëve.
Në zbatim të detyrave ligjore, si dhe duke shfrytëzuar përvojën pozitive të fituar gjatë planifikimit, organizimit dhe menaxhimit të situatës së rendit dhe sigurisë publike, gjatë aktiviteteve të tjera ndërkombëtare të zhvilluara më parë në Tiranë, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke filluar nga pikat e kalimit kufitar, rrugëkalimet e delegacioneve dhe ambientet ku do të zhvillohen aktivitete gjatë Samitit për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, që zhvilllohet më datë 28.02.2024 dhe më datë 29.02.2024.
Masat e planifikuara konsistojnë në disa drejtime, konkretisht:
-Garantimi i rendit publik, para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktiviteteve;
-Organizimi i shërbimeve policore, për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë;
-Sigurimi i delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë;
-Eskortimi i delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas;
-Eskortimi i delegacioneve nga pikat e kalimit kufitar, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim;
-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samiteve etj.
Për sa i përket qarkullimit të automjeteve, masat kufizuese do të jenë si më poshtë:
Më datë 27.02.2024, do të ketë bllokime të rrugëve me afat të shkurtër kohor, për qëllime sigurie në rrugëkalimin e delegacioneve që vijnë nga aeroporti “Nënë Tereza” dhe pikat e tjera të kalimit kufitar në drejtim të Tiranës, në varësi të kohës së lëvizjes së tyre;
Më datë 28.02.2024, nga ora 07:00 deri në largimin e delegacioneve pjesëmarrëse në aktivitetet e organizuara për Samitin, do të ketë ndalim pushimi dhe qëndrimi, duke filluar nga aeroporti “Nënë Tereza”, rruga e Rinasit – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e madhe perëndimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Papa Gjon Pali II” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Më datë 28.02.2024, do të ketë ndalim qarkullimi për automjetet, në fashat orare 08:00-11:00 dhe 15:30-17:30, nga aeroporti i Rinasit deri te ish-sheshi “Shqiponja dhe anasjelltas – Unaza e madhe perendimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Jul Variboba” dhe “Fatmir Haxhiu”;
Më datë 29.02.2024, nga ora 12:00 deri në orën 14:00 do të ketë ndalim qarkullimi, në Rrugën e Elbasanit, Unaza e madhe perëndimore – ish-sheshi “Shqiponja” , Qafë Kashar, Rinas-aeroporti “Nënë Tereza”;
Rrugët që përfshihen në perimetrin e sigurisë së aktiviteteve dhe takimeve të pjesëmarrësve në Samit, do të kenë ndalim qarkullimi nga ora 08:00 e datës 28.02.2024 deri në orën 16:00 të datës 29.02.2024, konkretisht:
Rruga “Dervish Hima” nga Rruga e Elbasanit deri tek Coin;
Rruga “Papa Gjon Pali II”, nga RTSH deri tek Coin;
Rruga “Abdyl Frashëri”, nga kryqëzimi i Librit Universitar deri tek Presidenca;
Rruga “Ukraina e lirë”, nga Gjykata Kushtetuese deri tek Vila 30;
Rruga “Themistokli Gërmenji”, nga Rruga e Elbasanit deri tek rruga “Papa Gjon Pali II”;
Rruga “Faik Konica”, nga degëzimi i Ambasador 3 deri tek rruga “Dervish Hima”;
Rruga “ Gjergj Filipi”, sheshi “Italia”, nga rruga “Faik Konica” deri tek hotel “Mariot”;
Blevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e ish-hotel Dajtit deri tek sheshi “Nënë Tereza”;
Për qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 28 dhe 29.02.2024, gjatë fashës orare të bllokimit të rrugëve, do të ndjekin përkatësisht drejtimin:
Vorë – Fushë Prezë – Rinas dhe kthim;
Fushë Krujë – Valias – Rinas dhe kthim;
Nga Juglindja dhe Tirana, do të ndjekin Unazën lindore – Farmacia 10 – Stacioni i Trenit – Bulevardi i Ri – Paskuqan – Kamëz – Valias – aeroporti “Nënë Tereza” dhe kthim në të njëjtin itenerar.
Hyrja e gazetarëve, e automjeteve të mediave të akredituara nga shërbimet e sigurisë, si dhe e të ftuarve në Samit, do të bëhet nga rruga “Ismail Qemali” – RTSH – bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- porta fundore e kontrollit të shërbimeve të Gardës së Republikës.
Për banorët dhe automjetet që gjenden në rrugët dhe blloqet e banimit, brenda perimetrit të sigurisë dhe rrugëve me bllokime të gjata në kohë, në varësi të agjendës së delegacioneve, me miratimin e drejtuesve të shërbimeve, do të lejohen të hynë dhe dalin, përkatësisht nga:
a)Blloku i banimit tek “Ambasador 3”, nga rruga “Sheh Ahmet Pazar” ose Faik Konica;
b) Blloku i banimit në rrugët “Themistokli Gërmenji”, “Jul Variboba”, “Fatmir Haxhiu” dhe “Papa Gjon Pali II”, në drejtim hyrës dhe dalës drejt Rrugës së Elbasanit;
c)Blloku i banimit tek dy kullat në rrugën “Ismail Qemali” dhe “Ukraina e lirë”, në drejtim hyrës dhe dalës të kufizuar nga shërbimet e sigurisë dhe dalje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas kthim i detyruar drejt bulevardit “Bajram Curri”;
d)Rruga “Lek Dugagjini” (para Universitetit) duke vijuar në rrugën “Faik Konica” (pas stadiumit), me dalje në Rrugën e Elbasanit, do të jetë e lirë për kalimin e mjeteve dhe qytetarëve (përjashto rastet kur ka kufizim në Rrugën e Elbasanit).
Për zbatimin e këtyre masave janë angazhuar Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat Speciale RENEA, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Drejtoria e Policisë Rrugore, në koordinim dhe drejtim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Njëkohësisht, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, me qëllim sundimin e ligjit në territor.
Policia e Shtetit shpreh besimin se qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve do të mirëkuptojnë masat e përkohshme kufizuese, do të ndjekin dhe do të zbatojnë udhëzimet e Policisë, pasi masat e marra janë në funksion të rendit, të sigurisë dhe të rritjes së imazhit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare. /Demokracia