Ka gati një vit e gjysmë që Zejush Misini, rreth 60 vjeç, pret për të bërë një koronarografi në Klinikën e Kardiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Kjo procedurë shërben për të diagnostikuar problemet në zemër, përkatësisht për të analizuar enët që e çojnë gjakun në zemër.
Varësisht rezultatit të saj, pacienti mund të referohet për procedura të tjera, deri tek operacioni.
Misini – i cili vjen nga komuna e Obiliqit, rreth 10 kilometra larg Prishtinës – tregon se mjeku i tij ia ka rekomanduar koronarografinë qysh në shtator të vitit 2022.
“Nuk e di pse duhet pritur kaq gjatë. Mendoj se nuk është normale të pritet kaq gjatë”, thotë ai.
Radio Evropa e Lirë bisedoi me të në javën e tretë të shkurtit, kur ai kishte shkuar në QKUK – për të disaten herë – për t’u interesuar për termin.
As atë ditë nuk kishte marrë përgjigje pozitive, me justifikimin se prioritet i kanë rastet urgjente.
Misini dyshon se mund të ketë nevojë për vendosje të stentës në zemër – një spirale që ndihmon për t’i mbajtur hapur enët e gjakut – sepse, siç thotë, “disa analiza që i kam bërë, nuk po më dalin mirë”.
Çka thonë mjekët?
Drejtori i Kardiologjisë, Lulzim Kamberi, pranon se ka lista të gjata pritjesh në klinikën që udhëheq.
Kjo, sipas tij, ndodh për faktin se pacientët nga e gjithë Kosova referohen në QKUK. Po ashtu, ka edhe një numër të madh pacientësh që referohen nga klinikat e tjera të QKUK-së.
“Gjithçka që kemi mundësi dhe kushte, jemi duke e bërë. Rastet urgjente nuk presin. Ato trajtohen menjëherë. Jemi shumë të ngarkuar me punë”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.
QKUK-ja ua “merr” pacientët spitaleve rajonale
Pos në QKUK, koronarografitë kryhen edhe në disa spitale private në Kosovë, por se janë shumë më të kushtueshme.
Kamberi thotë se, brenda ditës, në Kardiologji kryhen 10 deri në 13 procedura të tilla.
Klinika i ka vetëm dy salla, që, sipas Kamberit, nuk mjaftojnë.
“Jemi me një sallë, ndërsa një tjetër është rinovuar para tre muajsh. Na duhen minimumi edhe dy-tri salla të tjera”, thotë ai.
Kamberi kujton se, deri vonë, ka qenë një komision që e ka përpiluar listën e pacientëve që kanë nevojë për koronarografi, ndërsa tash rastet regjistrohen vetë, vetëm me një rekomandim të mjekut.
“Më herët janë regjistruar 5-6 pacientë në ditë, kurse tani kemi 15 e më shumë”, thotë ai.
Një arsye tjetër që mund të ketë ndikuar në fluks të madh pacientësh, është edhe vetëdijesimi gjithnjë e më i madh i qytetarëve për shëndetin, thotë kardiologu Agron Qerimi, i cili punon në një institucion privat në Kosovë.
Pritjet për një periudhë të shkurtër ndodhin edhe në vende të tjera, por jo më shumë se një vit.
“Duhet të mundohemi që pacientëve t’u ofrojmë shërbime sa më të hershme, sa më të shpejta, sa më kualitative dhe më të sigurta”, thotë Qerimi.