Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Durrësit. Policia ka gjetur pas 10 ditësh kërkime trupin e pajetë të një 50-vjeçari që ishte shpallur i zhdukur nga familja e tij, dhe pas hetimeve ka zbuluar se ai është vrarë nga e bija.
Sipas autoriteteve, e reja Hygerta Meta ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur. Policia ka arrestuar 19-vjeçaren, e dyshuar si autore e vrasjes së babait të saj, Pëllumb Meta.
“Falë veprimeve të shpejta profesionale, Policia gjen trupin e pajetë të 50-vjeçarit, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri dhe është varrosur brenda rrethimit të banesës, nga vajza e tij. Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi H. M., 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi P. M., 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të. Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të shtetasit P. M., të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.
Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur. Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së shtetasit P. M. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, shtetasja H. M., 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare’”.
Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i 50-vjeçarit është zhvarrosur dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme./Demokracia