ZHVILLIME NË HAGË: Trupi Gjykues cakton seancë ku do të diskutohen afatet – a po shkurtohet gjykimi?

- in Lajme

ZPS-ja thirri dëshmitarin e 46-të në mëngjes në gjykimin Thaçi dhe të tjerët. Dëshmitari dëshmon me pseudonimin W00498, por pa ndryshim të fytyrës dhe zërit. Sipas përmbledhjes që ZPS-ja lexoi në sallën e gjyqit, ky dëshmitar do të dëshmojë për rrëmbimin e anëtarëve të familjes në zonën e Rahovecit.

Para dëshmisë së këtij dëshmitari, Trupi Gjykues lëshoi një urdhër gojor duke urdhëruar Luka Mishetiqin që të dorëzojë listën e përditësuar të anëtarëve të ekipit mbrojtës të Mbrojtjes së Thaçit deri më 11 mars.

Trupi Gjykues gjithashtu informoi palët për një seancë shtesë të nesërmen (21 shkurt), e cila do të mbahet pas përfundimit të seancës së rregullt. Sipas njoftimit të Trupit Gjykues sot, kjo seancë do t’i kushtohet caktimit të datave dhe planifikimit për këto procedura./Demokracia