Kush duhej ta shpallte Pavarësinë e Kosovës

- in Lajme

Shkrim i sociologut Shkodran Ramadani për Albanian Post

Ndër vite, kam parë shumë njerëz duke thënë se pavarësia do të duhej të shpallej nga Presidenti Sejdiu apo Kryekuvendari Krasniqi, e jo nga Hashim Thaçi. Kjo për shkak që sipas hierarkisë shtetërore dhe sipas Kornizës Kushtetuese të UNMIK-ut, Presidenti dhe Kryekuvendari qëndrojnë mbi Kryeministrin në hierarkinë institucionale.

Mirëpo,” thonë ata, “Thaçi e përmbysi këtë hierarki moderne përmes forcës, kërcënimit dhe dinakërisë fisnore. Të drejtën që ligji modern i UNMIK-ut ua dha Sejdiut e Krasniqit, ia mori pushteti mesjetar e primitiv i Thaçit”.

Edhe këtë përvjetor të pavarësisë pamë një valë të re të sulmeve mbi të vërtetën.

Për t’i rënë shkurt, kjo është një gënjeshtër e kulluar, e tillë çfarë vetëm bodrumet e Vetëvendosjes mund ta inxhinierojnë.

Sa për fillim, shpallja e pavarësisë nuk është bërë as nga Kuvendi, as nga Presidenca e as nga Qeveria.

Kjo për shkak që këto institucione kanë qenë të themeluara dhe kanë funksionuar në kuadër të Rezolutës 1244.

Sipas kësaj rezolute, para se të hynte në fuqi, çdo vendim i këtyre institucioneve duhej të miratohej nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, i njohur ndryshe edhe si Krye-Administratori i Kosovës.

Në atë kohë, ky funksion ushtrohej nga Joachim Rucker.

Në bazë të Kornizës Kushtetuese, Përfaqësuesi Special kishte pushtetin të mbikëqyrë dhe, në rrethana të caktuara, të anulojë vendimet e Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes.

Në disa raste, veçanërisht në periudhën ndërmjet viteve 2002 dhe 2005, kur Kuvendi i Kosovës ndërmori iniciativa për të shtyrë përpara pavarësinë e Kosovës, Përfaqësuesi Special i kishte shpallur si të papajtueshme me Kornizën Kushtetuese me argumentin se ato “dilnin përtej fushëveprimit të kompetencave [të Kuvendit]” (Dosja e Kombeve të Bashkuara nr. 189, 7 shkurt 2003) dhe rrjedhimisht jashtë kompetencave të Kuvendit të Kosovës.

Për ta shmangur këtë, udhëheqësit politikë të Kosovës nuk e shpallën përmes institucioneve.

Normalisht, kjo ishte bërë edhe me rekomandimin dhe këshillat e partnerëve ndërkombëtarë në krye me ShBA-në.

Disa veçori të tekstit të deklaratës dhe rrethanat e miratimit të saj janë dëshmi për këtë.

E para, askund në tekstin origjinal shqip të deklaratës (që është teksti i vetëm autentik) nuk përmendet se shpallja është vepër e Kuvendit të Kosovës. Fjalët “Kuvendi i Kosovës” shfaqen në krye të shpalljes vetëm në përkthimet në anglisht dhe frëngjisht, të përfshira në dosjen e dorëzuar në emër të Sekretarit të Përgjithshëm.

Gjuha e përdorur në deklaratë ndryshon nga ajo që përdorej në vendimet e Kuvendit të Kosovës. Ky dallim vëerhet qysh në paragrafin e parë, që fillon me frazën “Ne, udhëheqësit e popullit tonë të zgjedhur në mënyrë demokratike…”. Në anën tjetër, në vendimet e mëhershme të Kuvendit të Kosovës përdorej veta e tretë njëjës.

Për më tepër, procedura e përdorur në lidhje me shpalljen ndryshonte nga ajo për miratimin e legjislacionit nga Kuvendi i Kosovës. Në veçanti, deklarata është nënshkruar nga të gjithë të pranishmit në shpallje, duke përfshirë edhe Presidentin e Kosovës, i cili nuk ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Prandaj, pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, ndryshe nga herat e kaluara, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm heshti. Kjo sugjeron se ai nuk konsideronte se shpallja ishte një vendim i Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes i krijuar për të hyrë në fuqi brenda Rezolutës 1244, për të cilën ai ishte përgjegjës.

Gjithashtu, deklarata nuk i është përcjellë Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm për publikim në Gazetën Zyrtare, siç ndodhte me vendimet tjera të institucioneve të Kosovës nën UNMIK.

Shkodran Ramadani

Si përmbledhje, gjuha e deklaratës tregon se autorët e shpalljes nuk kanë synuar të veprojnë brenda kornizës standarde të vetëadministrimit të përkohshëm të Kosovës, por kanë synuar krijimin e Kosovës “si shtet i pavarur dhe sovran”.

Kështu, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pra, në opinionin e saj më 22 qershor 2010 arriti në përfundim se: “Duke marrë parasysh të gjithë faktorët së bashku, autorët e deklaratës së pavarësisë të 17 shkurtit 2008 nuk kanë vepruar si një nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes brenda Kornizës Kushtetuese, por më tepër si persona që kanë vepruar së bashku, në cilësinë e tyre si udhëheqës të popullit të Kosovës, jashtë kornizës së administratës së përkohshme”.

Këtë ajo e precizon në Kapitullin e saj të Katërt, Pika B, Paragrafët 104, 105, 106, 107, 108 dhe 109, në faqet 46, 47, 48 dhe 49.

Jo që fjalët e Marc Weller, këshilltari i Kryeministrit Albin Kurtit, i japin fund këtij diskutimi, por gjithsesi mund t’i përdorim për të elaboruar atë që veçse dihet:

Më thelbësisht, Gjykata pranoi se deklarata e pavarësisë del gjithmonë dhe domosdoshmërisht nga rendi juridik nga i cili kërkon të ndajë subjektin shpallës. Prandaj, vendimi nuk mund të vlerësohet në mënyrë të arsyeshme sipas atij rendi juridik: Gjykata vlerëson se autorët e asaj deklarate nuk kanë vepruar, e as nuk kanë synuar të veprojnë, në cilësinë e një institucioni të krijuar dhe të autorizuar për të vepruar brenda atij rendi juridik, por përkundrazi, vendosën të miratonin një masë, rëndësia dhe efektet e së cilës do të binin jashtë këtij urdhri.

Nga kjo mund të kuptojmë se më 17 shkurt nuk u përdor as protokolli, as procedura e as formalitetet e Rezolutës 1244. Pavarësinë nuk e shpalli Kuvendi, prandaj nuk ishte nevoja të përdorej Rregullorja e tij që favorizonte Kryekuvendarin.

Nuk e shpalli as Presidenca, prandaj nuk pati protokoll të saj.

Nuk e shpalli as Qeveria.

E bënë thjesht udhëheqësit e popullit, me Hashim Thaçin në krye.

Kredencialet e Thaçit si Drejtori Politik i UÇK-së, si Udhëheqësi i Delegacionit Kosovar në Rambuje, si politikani më i votuar dhe figura më e pushtetshme ishin bindëse edhe për qytetarët e Kosovës, edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

Vetëm Ibrahim Rugova mund të kishte argument përballë tij, por tanimë ai veçse kishte vdekur. Poashtu, ish-Kryeministri Haradinaj ishte në Hagë.

Në anën tjetër, pasardhësit e tyre Sejdiu (Rugova) dhe Kosumi e Çeku (Haradinaj) nuk kishin peshën e duhur politike për të qenë kandidatë për një gjë të tillë.

Për më tepër, një ngjarje kaq e rëndësishme nuk mund të mbahej peng i protokolleve të një protektorati ndërkombëtar.

Më e keqja, bash ata që e kanë denoncuar UNMIK-un si mision neokolonial, thonë që protokollet, ligjet dhe formalitetet e tij duhet t’i mbivendosen vullnetit politik të popullit të Kosovës për vetëvendosje.

Prandaj, edhe sikur shpallja të bëhej me rregullore të UNMIK-ut, ajo do të duhej t’i subordinohej realitetit politik në Kosovë.

Kështu, emri i Hashim Thaçit ishte përgjigja e pakontesueshme dhe e merituar rreth pyetjeve se kush duhej ta shpallte pavarësinë e Kosovës.

Për vite me radhë, kjo ishte temë e pakontestuar, derisa Albin Kurti dhe Vetëvendosje filluan të gatuanin teorinë se Thaçi e kishte uzurpuar privilegjin për shpalljen e pavarësisë.

Sigurisht, kjo nuk është vetëm një arritje e tij jetësore, por mbi të gjitha momenti kulmor i aspiratave të Kosovës për Republikë.

Shpallja e pavarësisë ishte bërë derisa në sfond dëgjoheshin të rrahurat e zemrave të gjyshërve e stërgjyshërve tanë që sakrifikuan për këtë ditë, ndërkohë që rrugëve të Kosovës qytetarët me entuziazëm kishin vërshuar rrugët për të festuar.

Vetëm Vetëvendosje ishte e mërzitur dhe e mllefosur që gjithë çfarë kishin thënë ishte demantuar.

Kosova arriti të drejtën e vetëvendosjes kur shpalli pavarësinë dhe Vetëvendosja mbeti pa kauzën që mbante emrin e saj.

E pikërisht për shkak të kësaj zilie, ajo sot përfaqëson kundër-projektin e të vërtetës dhe po mundohet që nipërit, mbesat, stërnipërit dhe stërmbesat e së sotmes dhe nesërmes t’i indoktrinojnë, t’i mashtrojnë e t’i rrisin nën diktatin e rrenës, mashtrimit dhe propagandës.

Mirëpo, zemra e shpirtrave të lirë, integritetit dhe lirisë vazhdon të pulsojë edhe sot dhe nuk ka aparat në botë që e ndalë atë.

Prandaj, në fund e vërteta dhe luftëtarët e saj do të fitojnë, kurse luftuesit e saj do të turpërohen./Demokracia