16 vjet më parë po ndodhte ajo që shqiptarët e prisnin me shekuj, ngjarja më e rëndësishme për popullin që prej çlirimit të vendit më 1999.
Kosova po shpallej shtet i pavarur.
Atë kohë drejtonin institucionet kryesore në vend, Fatmir Sejdiu president i Kosovës, Jakup Krasniqi kryetar i Kuvendit dhe Hashim Thaçi kryeministër.
Këta dy të fundit, as edhe këtë përvjetor të pavarësisë nuk gjenden në Kosovë.
Ndërsa, ky është viti i katërt që Kosova feston ditëlindjen e saj pa Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, por edhe pa ish luftëtarët e tjerë të cilët gjenden në Hagë.
Ish-bashkëluftëtari i tyre, Fatmir Limaj, pa dashur të flasë më shumë për këtë çështje, thotë se kjo që po ndodhë është e trishtueshme.
Por shpreson që në përvjetorin e ardhshëm të pavarësisë të gjithë ish-bashkëluftëtarët do të jenë në Kosovë
“E trishtueshme, e dhimbshme, e pa merituar. Por shpresoj që vitin tjetër do t’i kemi këtu”, ka deklaruar Limaj.
Fatmir Limaj, ka folur edhe për atë se si po e sheh shtetin e Kosovës në këtë 16-vjetor të pavarësisë dhe a është ai për të cilin Limaj e kishte ëndërruar.
“Po për mua po është. Në shtet investohet, mirëmbahet dhe punohet, duhet ta meritojmë çdo ditë këtë shtet, ta ndërtojmë e ta zhvillojmë. Shteti nuk është një kallëp, ai është i gjallë dhe duhet çdo ditë të investohet në të për ta forcuar”, ka deklaruar ndër të tjera Fatmir Limaj për FrontOnline.
Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova fillon të njihet nga vendet që e kanë mbështetur planin Marti Ahtisari.
Aktualisht shtetin e Kosovës deri më tani e kanë njohur 117 shtete.
Kjo shifër është e publikuar në ëebfaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Shteti i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosovës është ai i Izraelit në shkurt të vitit 2021./Demokracia