Para pak vitesh ishte botuar libri “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography” nga autorët britanikë Roger Boyes dhe Suzy Jagger. Libri biografik përmban jetën private dhe publike të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Në libër, autorët britanikë tregojnë detaje interesante sa i përket marrëdhënies së Thaçit me diplomatin amerikan, Holbrooke, negociatave për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, triumfit të Thaçit në zgjedhjet nacionale dhe negociatave me Serbinë.
Në libër, tek kapitulli “DITA E PAVARËSISË”, autorët kanë dhënë detaje për prapaskenat dhe diskutimet, të cilat i kanë paraprirë shpalljes së pavarësisë.
Autorët britanikë tregojnë se sikur të ishte në dorën e Thaçit, ai do ta kishte shpallur pavarësinë ditën kur e ashtuquajtura Trojka – BE, SHBA dhe Rusia – formalisht kishte hequr dorë nga gjetja e një zgjidhjeje konsensuale për Kosovën. Por, Thaçi me të drejtë kishte dëgjuar këshillën për të pritur pak më gjatë. SHBA-ve, i patën thënë, i duhej kohë për të bindur aleatët.
“Për Europën nuk do të ketë ndonjëherë kohë të përshtatshme” – thoshte Holbrook. “Nuk ka kuptim të presim më gjatë”.
“Le ta bëjmë”, tha Wisner, “javën e dytë apo të tretë të shkurtit”.
Periudha u vendos në agjendë dhe Thaçi u betua të mbante datën sekret deri në momentin e fundit, në mënyrë që të zvogëlohej mundësia e sabotimit nga rusët apo serbët dhe të merrte kohën e duhur për të organizuar kalendarin për vendet mike të Kosovës. Më tepër sesa mendonte që ata të shpallnin njohjen në Ditën e Pavarësisë, do ishte më mirë që shpalljet për njohjen e pavarësisë të bëheshin të njëpasnjëshme.
“Një ortek njohjesh”, sipas fjalëve të një diplomati amerikan “do t’i mbyste kritikët”.
Sipas autorëve të librit, Thaçi kishte lënë përshtypje të mira në takimet e Nju Jorkut, ai ishte një udhëheqës, binin dakord ata, që do të prodhonte rezultat. Kjo ishte e rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e Ballkanit, por edhe për doktrinën e ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së pas disfatave therëse në Irak. Deri diku falë Thaçit, ata arritën që një numër i konsiderueshëm europianësh të bashkëpunonin përsëri me administratën e Bushit, mëgjithëse sikurse edhe në Irak, ata po operonim pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. /Demokracia.com/