Si kurrë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar Kosovën se mund të shkëpusin partneritetin me Qeverinë Kurti, për shkak të politikave të pakoordinuara, të cilat po i shërbejnë tensionimit të situatës së sigurisë në vendin tonë.
Shumë i drejtpërdrejtë u tregua më 13 shkurt 2024, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ndihmës Seketari Amerikan i Shtetit, James O’Brien.
“Unë nuk bëj kërcënime të vakëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne [SHBA] nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës [Qeverinë Kurti] si partnere”, paralajmëroi ai.
Por, këto mesazhe që paralajmërojnë për rrezikun që përfaqëson kryeministri Albin Kurti në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si shtet aleat që mbështeti lirinë, krijimin e shtetit të Kosovës dhe konsolidimin e tij në arenën ndërkombëtare, duket se nuk po i dëgjon e para e shtetit, presidentja Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani vazhdon të mos mbajë qëndrim as pas paralajmërimit tjetër të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, më 1 shkurt 2024, se “pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”.
Këto politika të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të pakoordinuara me aleatët e shtetit të Kosovës, sidomos SHBA-në, po sjellin pasoja të pariparueshme për Republikën e Kosovës dhe konsolidimin e saj në arenën ndërkombëtare.
Megjithkëtë, presidentja Osmani, e cila sipas Kushtetutës përfaqëson “unitetin e popullit” dhe “udhëheq politikën e jashtme të vendit”, nuk duhet të qëndrojë e heshtur në kohën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po cenon raportet ndërshtetërore me aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Demokracia.com/