Të shtunën e ardhshme, Kosova do ta shënojë 16-vjetorin e pavarësisë.
Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur me deklaratën e pavarësisë të lexuar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, shkruan Demokracia.com.
16 vite pas nga kjo ditë, Kosova nën Qeverinë Kurti gjendet në një pozitë aspak të lakmueshme.
Tashmë janë bërë afro 8 muaj kur BE i vendosi masa ndëshkuese Kosovës.
Kjo për shkak të padëgjueshmërisë së Qeverisë Kurti për veprime të njëanshme destabilizuese dhe moskoordinim me aleatët.
Si shkak i këtyre masave, Kosova ka humbur qindra-miliona euro përkrahje evropiane.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, për Zërin e Amerikës ka treguar se afër 300 milionë euro është vlera e projekteve të pezulluara që duhej të financoheshin nga Bashkimi Evropian.
Kosova përveç masave nga BE, aktualisht nuk i ka raportet aq të mira as me ShBA-në.
Veprimet e Qeverisë të pakoordinuara kanë bërë që ShBA-ja ta kritikojë Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB, që u mbajt së fundmi me ftesë të Serbisë.
Sipas përfaqësueses së SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, Kosova ka vepruar pa koordinim dhe pa konsultim me serbët lokalë.
Ajo po ashtu ka thënë se dialogu mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe jo nga Këshilli i Sigurimit, duke iu përgjigjur Kurtit që kërkoi nënshkrimin e Marrëveshjes me Serbinë.
“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe mbështetjen tonë për Forcën e Kosovës nga NATO-ja në përputhje me mandatin e OKB-së. Inkurajojmë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, që SHBA-ja e mbështet fuqimisht dhe vazhdimisht. Që të jemi të qartë, është dialogu i lehtësuar nga BE-ja e jo i Këshillit të Sigurimit që duhet të jenë kanale për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe zgjidhjet që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kështu SHBA-ja ka shprehur brengën sa i përket planit të Kosovës për zbatimin e Rregullores së ndryshuar të BQK-së për sa i përket transaksioneve në para të gatshme. Vendimi është marrë pa përgatitje adekuate apo konsultim me popullatën lokale. Edhe një herë bëjmë thirrje për zbatim të këtij plani, por që të shtyhet deri sa të ketë procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane”, ishte shprehur përfaqësuesja e SHBA-së.
Përveç problemeve me diplomaci, Kosova ka probleme të shumta edhe ekonomike. Për shkak të mungesës së perspektivës, që nga 1 janari kur u liberalizuan vizat raportohet se janë larguar nga vendi 150 mijë punëtorë./Demokracia.com/