Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me rezervat shtetërore ka angazhuar tre ekspertë. Hilmi Jashari është angazhuar për fushën juridike, Hasim Krasniqi, në atë të prokurimit publik, ndërkaq, Lulzim Beqiri sa i përket financave.
Anëtarët e komisionit, në mbledhje të martën, u pajtuan unanimisht që nga shtatë kandidatët që kishin aplikuar të zgjidhen tre të lartcekurit.
Anëtari i komisionit, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në emër të grupit punues për përzgjedhjen e ekspertëve, tha se Jashari, Krasniqi dhe Beqiri i plotësojnë kushtet e kërkuara nga komisioni, sa i përket hetimit në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.
Krahas kësaj, deputetët u pajtuan që javën e ardhshme të mbahet një punëtori, sa i përket hartimit të planit punës./Demokracia