Ish-i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka reaguar ndaj një njoftimi të ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, lidhur me ankandin e parë solar në Kosovë, duke treguar se asnjë kompani apo investitor amerikan nuk ka ofertuar.
“Asnjë kompani apo investitor amerikan nuk ka ofertuar për një projekt të mundshëm të madh diellor në Kosovë pas kontakteve të gjera me ambasadën e ShBA-së në Prishtinë. Kompanitë amerikane kanë frikë nga de-stabiliteti i krijuar nga Albin Kurti”, ka shkruar Grenell në rrjetin social “X”.
Grenell, teksa ka shpërndarë reagimin e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka përmendur edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare, ka theksuar se kryeministri Albin Kurti me veprimet e tij “të njëanshme po krijon de-stabilitet në Veri”.
“Kurti po injoron Bidenin ashtu siç bëri me Trump-in”, ka theksuar Grenell.
Muajin e kaluar, Grenell akuzoi Kurtin duke thënë se injorimi i kërkesave të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, paraqet rrezik për ushtarët amerikanë që shërbejnë në misionin paqeruajtës të NATO-së në Kosovë (KFOR).
“Nëqoftëse Kurti dëshiron që amerikanët të vazhdojnë të paguajnë dhe të mbrojnë sigurinë e rajonit nëpërmjet trupave të NATO-s, atëherë ai duhet t’i ndalojë lëvizjet e njëanshme që rrezikojnë sigurinë e 572 burrave dhe grave amerikane që aktualisht shërbejnë në Kosovë”, shkroi ai, ndërsa shtoi se kjo çështje duhet të merret parasysh nga presidenti amerikan Joe Biden.
“Kurti po rrezikon jetën e amerikanëve me veprimet e tij. Ai duhet të ndalojë luftën – ose trupat amerikane duhet të tërhiqen dhe të kthehen në shtëpi për shkaqe sigurie”, nënvizoi Grenell./Demokracia