Përndjekja ndaj zyrtarëve publikë, brenda një muaji ministria e Rozeta Hajdarit largon nga puna tre zyrtarë

- in Lajme

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë brenda një muaji ka larguar nga puna tre zyrtarë të lartë.

Përmes Komisionit Disiplinor kjo ministri ka vendosur që nga 29 dhjetori i vitit të kaluar deri më 29 janar të nxjerr tri vendime për largimin nga shërbimi civil të Ermal Kutllovcit, Lulzim Sylës dhe Arian Krasniqit.

Në vendimet e këtij komisioni  tregohen arsyet e largimit të këtyre zyrtarëve.

Në arsyetimin e vendimeve të lartcekura thuhet se zyrtarët në fjalë në mbledhje të Komisionit Disiplinor kanë ngritur zërin dhe kanë përdorur gjuhe të palejueshme.

Gjithashtu, si arsyeje përmenden edhe statuset në “Facebook”.

Në vendimin për shkarkimin e Ermal Kutllovci, zyrtar për cilësinë e naftës dhe produkteve të naftës në Departamentin për Rezervat Shtetërore në MINT, thuhet se gjatë mbledhjes se komisionit i njëjti ka bërë “sjellje jo të mirë”.

Në takimin e mbajtur me datë 11.12.2023 ku prezent ishin edhe zyrtarët e menaxhmentit të lartë të MINT si ministrja e MINT, zv. ministrat, shefi i stafit të Kabinetit të ministreë, zv. sekretari i Përgjithshëm dhe stafi i departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave, me ç`rast pas një diskutimi zyrtar, z. Ermal Kutllovci gjatë takimit në fjalë ka bërë sjellje jo të mirë, gjuhë nënçmuese dhe aspak profesionale e cila nuk tolerohet gjatë orarit të punës, në prezencë të menaxhmentit të lartë të MINT, stafit politik dhe shërbyesve civil, pasi që sjellja e tillë cilësohet si shkelje disiplinore”, është thënë në arsyetimin e vendimit të Komisionit Disiplinor në rastin Kutllovci.

Përmes një shkrimi në profilin e tij në “Facebook, Kutllovci i ka mohuar premtimet e komisionit.

Ai ka thënë se ai është larguar nga puna për shkak se iu ka thënë “Jo” disa proceseve të kundërligjshme.

Për informimin e drejtë e të sinqertë për gjithsecilin, unë jam zyrtari i cili i ka thënë JO një procesi të kundërligjshëm e me shumë të panjohura, siç ishte procesi i furnizimit me produkte për Rezervën Shtetërore në Vitin 2022. Po unë jam ai i cili në vazhdimësi e kam kundërshtuar këtë proces me shkrim e jo verbalisht, duke e paralajmëruar në vazhdimësi Ministren Rozeta Hajdari, se veprimet dhe heshtja juaj karshi këtij procesi bien ndesh me ligjin bazë për Rezervat Shtetërore të Mallrave. Pra edhe përkundër kundërshtimeve të drejta (ligjore) e parimore, paralajmërimeve të njëpasnjëshme, kurrë në asnjë moment s’kam pranuar ndonjë shkresë zyrtare me të cilën së paku do tentohej të demantohet shqetësimi i shprehur qysh në fillim të këtij procesi.”, ka shkruar ai.

Më tej, ai ka treguar se ministrja Hajdari i ka thënë “mbylle gojën” gjatë një takimi që ajo ka pasur në dhjetor 2023 në Departamentin e Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM).

Largimi i Arian Krasniqit

Përmes Komisionit Disiplinor është përjashtuar nga puna edhe Arian Krasniqi, zyrtar i lartë për standarde dhe cilësi të Turizmit në MINT, i cili është edhe nip i Jakupt Krasniqit.

Në vendimin e komisionit për shkarkimin e Krasniqit, të cilin e ka siguruar gazeta, thuhet se personit në fjalë i shqiptohet masa disiplinore “largim nga shërbimi civil”, për shkak të shkeljeve dhe përgjegjëseve të përcaktuara me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Z. Daut Latifaj-zv. sekretar i Përgjithshëm në MINT me datë 29.12.2023 ka parashtruar kërkesë me nr.1256/02 për inicimin e procedurës disiplinore për nëpunësin civil z. Arian Krasniqi – zyrtar e lar pranë MINT për shkak të shkeljeve të rënda të detyrave dhe përgjegjësive të punës, me arsyetimin: Se ka ndarë për publikun lajme të pavërteta të rrjeteve sociale ndaj institucionit(MIN)”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi vendimin për shkarkimin e tij e ka vlerësuar si jo demokratik.

“Largimin nga puna e përjetova rëndë, sepse, kam menduar se kjo dukuri nuk do të na përsëritej, ashtu sikur babës tim dhe anëtarëve tjerë të familjes nga regjimi që kurrë më nuk do të kthehet. Ngjan edhe kjo padrejtësi, por, besimi në ligjet e vendit tim, më jep shpresë se këtë veprim të Ministrisë, me instanca ligjore do ta anulojmë dhe hartuesit e tij do të turpërohen”, ka shkruar Krasniqi.

Përjashtimi i Lulzim Sylës

Në fund të muajit dhjetor, vendimin për largim nga puna e kishte pranuar edhe Lulzim Syla, Drejtor i Departamentit të Turizimit në MINT.

Edhe në arsyetimin e vendimit për largimin e tij përmendën arsyet jo bindëse.

Në takimin e mbajtur me datë 24.11.2023 në Kabinetin e Ministrisë së MINT, ishte ftuar Lulzim Syla – Drejtor i Departamentit të Turizimit, m ç`rast pas një diskutimi zyrtar, z. Lulzim Syla duke u larguar nga zyra e Ministrisë, i është drejtuar z. Kushtrim Dakaj – këshilltar i Lartë/Shef i stafit të Kabinetit të Ministres së MINT, me një tonë shumë të lartë, me një qasje arrogante, e cila sjellje ka qenë kërcënuese duke ju drejtuar z. Dakaj me fjalët fyese, gjuhë nënçmuese dhe aspak profesionale në prezencë të menaxhmetit të lartë të MINT, stafit politik dhe shërbyesve civil”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Gjithashtu, në arsyetim thuhet se Syla nuk ka marrë masa të duhura ndaj zyrtarit Arian Krasniqi.

Komisioni Disiplinor me datë 26,12.2023 nga znj. Nexhmije Shala – udhëheqëse e Njësisë së Burimeve Njerëzore kemi pranuar shpresë zyrtare lidhur me mos reagimin/veprimin e nëpunësit civil z. Lulzim Syla – Drejtor i Departamentit të Turzit ndaj vartësit të tij Arian Krasniqi – Zyrtar në Departamentin e Turizimit, i cili ka bërë postime në rrjetet sociale me ç`rast ka përdorur gjuhë të ashpër dhe të papranueshme ndaj stafit politik dhe menaxhues përfshirë kryeministrin e Kosovës, Ministren e MINT etj”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e vendimit për largimin nga puna të Lulzim Sylës.

Nga burimet e saj brenda ministrisë, gazeta ka mësuar se zyrtarët që janë larguar nga puna do të ankohen në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës./Nacionale.com/