Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti vazhdojnë të mbajnë të fshehur dokumente të rëndësishme për kushtetutshmërinë dhe prej të cilave varet sesi do të duket e ardhmja e Republikës së Kosovës.
Pavarësisht peshës së madhe që bartin këto dokumente, as Osmani dhe as Kurti, jo vetëm që nuk kanë publikuar pas më shumë se 100 ditëve draftstatutin për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por as komentet dhe vërejtjet e tyre për përmbajtjen e këtij dokumenti të përgatitur nga BE, shkruan Demokracia.com.
Deri më tani, drejtuesit shtetërorë të Kosovës kanë arsyetuar mbajtjen fshehur të këtij dokumenti me konfidencialitetin e negociatave dhe se i njëjti është një dokument i përgatitur nga ndërmjetësuesi i dialogut, por komentet apo vërejtjet e Osmanit dhe Kurtit kanë autorësinë e tyre dhe mbajtja fshehur është papërgjegjshmëri shtetërore.
KOMENTET E KURTIT
Më 21 tetor 2023, Kurti ka pranuar draftstatutin, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.
Më 14 nëntor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se komentet dhe vërejtjet e tij për draftstatutin ia ka përcjellur ndërmjetësuesit të dialogut më 24 tetor, pra tri ditë pasi ka pranuar dokumentin.
“Me datën 21 tetor erdhi pesëshja e emisarëve, e cila erdhi për draft statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe aty me 24 tetor, unë ua dërgova vërejtjet për atë draft statut”, ka thënë Kurti para mediave.
Që nga ajo kohë, kryeministri Kurti nuk ka zbuluar përmbajtjen e komenteve të tij. Duke qenë se autorësia e këtyre komenteve nuk është e BE-së, por e kryeministrit të Kosovës, Kurti ka mundur që të njëjtat t’i publikojë, megjithkëtë ai vazhdon t’i mbajë fshehur nga qytetarët e Kosovës.
Përveç kësaj, pas komenteve që ka dërguar në adresë të BE-së, Kurti nuk ka bërë asgjë tjetër për të përmirësuar përmbajtjen e këtij dokumenti, të cilin ishte vetëofruar ta nënshkruajë më 26 tetor 2023 në takim me liderët evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell).
“Drafti është përgatitur duke respektuar vijat e kuqe të Kosovës dhe është miratuar nga 27 shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-ja. BE ka pranuar disa komente fillestare nga Kosova të cilave BE u është përgjigjur me shkrim. Sidoqoftë, pas takimit të 26 tetorit 2023 përgjatë të cilit kryeministri Kurti pranoi Draftin nën kushtin që të nënshkruhet nga ai dhe presidenti Vucic, s’është kërkuar diskutim shtesë për këtë çështje nga Kosova dhe Kosova s’ka dhënë komente shtesë”, ka thënë Stano më 26 janar 2024.
KOMENTET E OSMANIT
Në shumë raste, presidentja Vjosa Osmani ka shfaqur publikisht dyshimet e saj për disa çështje që kanë të bëjnë me përmbajtjen e draftstatutit për themelimin e Zajednicës.
Vetëm një ditë pas dakordimit për planin franko-gjerman apo Marrëveshjen e Brukselit, më 28 shkurt 2023, presidentja Osmani kishte reaguar duke e parë me dyshime Nenin 7 të kësaj marrëveshje, ku serbëve u sigurohet vetëmenaxhim dhe rregullim i statutit juridik të Kishës Ortodokse Serbe.
“Me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, kishte thënë Osmani.
Ndërkaq, më 31 janar 2024, Osmani ka folur sërish për vërejtjet e saj të cilat i ka përgatitur dhe ia ka bërë të ditura edhe emisarit evropian Lajçak, por edhe zyrtarëve të lartë të QUINT-it.
Por, presidentja Osmani, njëjtë si kryeministri Kurti, nuk ka zbuluar deri më tani përmbajtjen konkrete të vërejtjeve që ka për draftstatutin.
“Sa i përket draftit të Asociacionit, siç e dini nga fillimi kur ai draft është prezantuar në Republikën e Kosovës, po në të njëjtën ditë i kam paraqitur disa prej shqetësimeve të mia për të gjitha shtetet që kanë qenë të involvuara në hartimin e këtij draftit. Njëkohësisht pastaj këto komente dhe shqetësime i kam diskutuar më vonë detajisht në takime me zyrtarë të lartë të QUINT dhe këto i kemi diskutuar edhe dje me Lajçak. Ai i ka mirëpritur ato dhe ka shprehur besimin se shumica dërmuese prej tyre së paku do të mund të akomodohen”, ka thënë Osmani.
Nuk ka ndodhur më parë që drejtuesit shtetërorë të Republikës së Kosovës të mbajnë fshehur dokumente të cilat do të përcaktojnë se si do duket Republika e Kosovës, pasi që rezultat i dialogut të kryeministrit Kurti është neni 7 për vetëmenaxhimin e serbëve dhe zyrtarizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe, të cilat nuk kanë qenë kurrë më parë pjesë e dialogut Kosovë – Serbi. / Demokracia.com