Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, njoftoi nëpërmjet një postimi në platformën “X” se është takuar me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç në Beograd.
“Pata një diskutim të thellë me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç rreth një sërë dosjesh konkrete të dialogut. Ne folëm edhe për perspektivat e takimit të ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel”, shkroi Lajçak.
Po ashtu Lajçak gjatë ditës është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç me të cilin ka diskutuar për “hapat e ardhshëm” në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.
“Me të mbërritur në Beograd sot në mëngjes, u takova me Vuçiçin. Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi gjendjen e lojës në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, shkroi diplomati sllovak.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë njoftoi nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën se nga Lajçaku kërkoi mbështetje për ndaljen e “provokimeve” të Kosovës, ndërsa gjithashtu insistoi në “domosdoshmërinë” e themelimit të shpejtë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
“Pata një takim konstruktiv dhe shumë korrekt. Unë theksova domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe kërkova mbështetjen e BE-së për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”, deklaroi presidenti serb pas takimit me Laçakun.
Ai pretendoi ndër të tjera se Serbia është e gatshme për t’i përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, mirëpo “në përputhje me marrëveshjet juridike ndërkombëtare” dhe “duke respektuar Kushtetutën e Serbisë dhe Kartën e OKB-së”, ndonëse Serbia është shprehur edhe me shkrim kundër zbatimit.
Takimi midis Lajçakut dhe Vuçiçit u mbajt të hënën në ora 12:30 në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Serbisë në Beograd. Ndërkaq, më 30 janar (nesër), diplomati sllovak pritet të qëndrojë edhe në Prishtinë, ku do të ketë një takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, njëherit shef i ekipit negociator të palës kosovare në dialog.
Vizita e Lajçakut në Beograd dhe Prishtinë vjen para hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) mbi operacionet me para të gatshme, ku specifikohet se valuta e vetme që lejohet për kryerjen e pagesave dhe transaksioneve është euro dhe rrjedhimisht, përjashtohet dinari serb që është përdorur kryesisht në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
/Demokracia