Derisa shumë biznese private në Kosovë po ankohen për ikje të punëtorëve sidomos pas 1 janarit 2024, kur ka filluar liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian, qindra punëtorë të huaj kanë aplikuar për leje qëndrim në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Kosovës.
Sipas një raporti të MPB-së për periudhën tetor-dhjetor 2023, mbi 1500 kërkesa për leje qëndrim me qëllim të punësimit janë raportuar gjatë kësaj periudhe.
Prej të cilave, 439 kërkesa kanë qenë për punë të shtetasve nga Bangladeshi, 399 nga Turqia, 163 nga Serbia (kryesisht shtetas shqiptar nga Lugina e Preshevës), 136 kërkesa për punë nga Shqipëria, 66 nga Maqedonia e Veriut, etj.
Por, pavarësisht kërkesave të mëdha, përfaqësues të kompanive që kanë punësuar punëtor nga këto vende e po ashtu edhe ekspertë të fushës po thonë se qëllimi i këtyre punëtorëve nuk është qëndrimi në Kosovë.
Sipas tyre, ata qëllim kanë largimin për në vendet e Bashkimit Evropian.
Kalanderi: Kam punësuar 6 punëtorë nga Bangladeshi, më kanë ikur pas dy jave
Drejtori ekzekutiv i kompanisë “Liri”, Liridon Kalanderi, tregon për Front Onlinese aktualisht nuk ka asnjë të punësuar nga jashtë, por se një kohë ka pasur.
Por, thotë se 6 punëtorët nga Bangladeshi kanë ikë për dy javë.
“Tani ne nuk kemi asnjë punëtorë të huaj, përndryshe kemi pas një numër vetëm sa për t’i testuar, i kemi pas 6 persona edhe tash që të gjithë synimin e kanë pas për me ik në vendet tjera, dmth në Evropë. Kanë qëndruar këtu një apo dy javë edhe janë larguar, pra kanë ik. As nuk kanë prit me marrë rroga as asgjë, pra synimin e kanë pas për Evropë”, është shprehur ai për Front Online.
Arsyeja e punësimit të tyre siç thotë Kalanderi nuk ka qenë për shkak që në Kosovë nuk ka pasur punëtorë, por se këtë e kanë bërë vetëm për të testuar punën e punëtorëve të huaj.
“Arsyeja pse kemi vendos me marrë punëtorë nga jashtë nuk është se nuk ka punëtorë në Kosovë sepse ka sa dush, ne tash në këtë kohë kemi tepër. Ata punëtorë shumë kanë qenë të mirë, shumë kanë qenë të rregullt, të disiplinuar, e kanë respektua orarin e punës dhe punën për të cilën kanë ardh me bë. Por, të njëjtën po e presim edhe prej kosovarëve tash”, ka shtuar drejtori Kalanderi.
E, derisa flet për ikjen e të rinjve nga vendi ai thotë se të njëjtit me shkuarjen në vendet e huaja do ta kuptojnë që edhe në Kosovë mund të jetohet dhe punohet.
“Tash me liberalizimin e vizave të rinjtë shkojnë jashtë dhe do ta shohin që edhe në Kosovë mundet me u punu, me jetu sepse jashtë nuk na presin milionat. E provojnë secili, dhe kjo është e drejtë e secilit”, ka shtuar ai.
Ai thotë se aktualisht kompania ka 300 punëtorë, dhe se pagat janë nga 300 deri në mbi një mijë euro.
Rafuna: Mungesa e fuqisë punëtore sfida më e madhe, punëtorët e huaj s’kanë tendenca të qëndrojnë në Kosovë
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna mungesën e fuqisë punëtorë po e sheh si një ndër sfidat më të mëdha për vendin.
Por, thotë se trendi i importimi të fuqisë punëtore nga vendet e juaja ka filluar në dy vitet e fundit.
“Aseti më i mirë dhe më i vlerësuar dhe më i shtrenjtë që e ka pas Kosova ka qenë rinia dhe kur them rinia jam duke e pas parasysh edhe fuqinë punëtore. Idealja do të ishte që ne mos të kemi nevojë që me importu fuqi punëtore, por si rezultat i mungesës së të rinjve dhe të rejave në Kosovë bizneset detyrohen edhe me importu fuqi punëtore”, ka pohuar Rafuna për Front Online.
Edhe Rafuna, thotë se punëtorët e huaj nuk kanë tendencë qëndrimin në Kosovë.
“Është diçka që biznesi nuk mundet me qenë i sigurt për një kohë afatgjatë por as afatmesëm për shkak që shumica prej tyre që vijnë nuk e kanë tendencën me nejt dhe me punu në Kosovë, por deri sa ta gjejnë një mundësi për të vazhduar tutje për në vendet e Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai.
I pari i OEK-ut, kërkon nga Qeveria që të bëj një plan veprimi në mënyrë që të parandalohet shkuarja e të rinjve në vendet e huaja.
“Institucionet në këtë rast Qeveria duhet ta ketë një plan të veprimit sa më shpejtë që është e mundur që e parandalon shkuarjen e të rinjve në kuptimin e një plani me masa konkrete se si mundet me iu ofru të rinjve dhe të rejave që të hapin biznese me kushte më të mira se sa që i kanë në vendet e Bashkimit Evropian dhe e dyta për me tentu me i kthy ata që veç na kanë dalë”, është shprehur Rafuna.
I pyetur se sa është numri i kompanive në vend që kanë të punësuar nga jashtë, ai ka thënë se nuk kanë shifra, por se sipas informatave trendi është në rritje.
E, derisa Qeveria po proklamon se në Kosovë po hapen vende të reja të punës, Rafuna thotë se me vet faktin që të rinjtë po ikin hapen edhe mundësi
“Me vet faktin që të rinjtë po shkojnë, po hapen mundësi në kuptimin që po lirohen vende të reja të punës dhe po punësohen të ri ajo shkon duke e ulur numrin e të papunëve. Mirëpo, kjo nuk është ndonjë mrekulli, kjo është e natyrshme sepse po lirohen vende punë duke ikë të ri dhe me automatizëm iu vjen rendi me u punësu”,ka shtuar kryetari Rafuna.
Arian Zeka: Shqetësuese marrja e punëtorëve të huaj, Kosovën e shohin si vend tranzit
Që ikja e fuqisë punëtore është sfidë e madhe nga vendi e thotë për Front Onlineedhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.
Ai deklaron se ndërmarrjet në Kosovë ka kohë që kanë filluar të shprehin shqetësimet e tyre sa i përket fuqisë punëtore.
“Të vijmë në një situatë kur detyrohemi që të marrim punëtorë nga vendet aziatike realisht është shqetësuese, e para për shkak se një numër i kompanive gjatë vitit të kaluar patën raportuar që këta punëtorë që vijnë prej shteteve aziatike megjithatë nuk e shohin Kosovën si vend ku ata mund të rrijnë për një periudhë të gjatë. Një pjesë e madhe e tyre e kanë parë Kosovën si një vend tranziti për të kaluar në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”,është shprehur Zeka për Front Online.
Duke pas parasysh këtë, Zeka thotë se kompanitë përsëri nuk mund të rehatohen në aspektin e fuqisë punëtore.
“Kjo do të thotë që sërish na sjellë në atë problemin kryesor kur kompanitë nuk mund të rehatohen në aspektin e fuqisë punëtore edhe e dyta me vet faktin që me gjithë popullsinë e re edhe me gjithë kapital të rëndësishëm njerëzor nuk mund të gjejmë vende për shkak se të rinjtë tonë i shohin vendet perëndimore si vende ku ata potencialisht mund të krijojnë jetë dhe të zhvillojnë karrierën e tyre”, ka shtuar ai.
Që të parandalohet ikja e fuqisë punëtore nga vendi, i pari i Odës Ekonomike Amerikane , Arian Zeka përmend disa çështje që mund të ndikojnë në këtë.
“Është përmirësimi i shërbimeve publike. Ne vazhdojmë të ankohemi për cilësi jo të mirë të arsimit, e dyta janë shërbimet shëndetësore pra cilësia e shërbimeve shëndetësore duhet të ketë investime, dhe e treta është rritja e kostos së jetesës në vendin tonë. Institucionet publike nuk janë përgjigjur në mënyrë të drejtë për rritje të kompensimit në sektorin publik e lëvizje më të vogël ka pasur në sektorin privat me të gjitha vështirësitë”, ka thënë Zeka për Front Online.
Azemi për punëtorët e huaj: Qëndrojnë vetëm dy javë, kjo nuk është zgjidhje
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi thotë se importimi i punëtorëve të huaj në Kosovë nuk ka rezultat.
Kjo, për shkak që sipas tij të njëjtit nuk qëndrojnë më shumë se dy javë në një kompani.
“Po është e vërtetë që shumë kompani po merren me këtë dhe unë po e quaj biznis sepse importimi i fuqisë punëtor nga vendet e tjera shumë pak ka rezultat. Punëtorët nuk kanë qëndruar më shumë se dy javë dhe këto janë një kamuflazh, dhe zgjidhje realisht nuk ka. Fuqia punëtore e importuar nga jashtë është dyfish ose trefish më shtrenjtë sesa kjo e jona sepse ne së paku kemi një vend qëndrim, kemi një shtëpi tonën dhe nuk është nevoja të paguajmë për banim ose diçka tjetër”, ka deklaruar Azemi, për Front Online.
Por, Azemi ka një frikë tjetër për vendin kur bahet fjalë për importimin e fuqisë punëtorë.
“Unë kam frikën më shumë se në leje qëndrimet që i kërkojnë këta njerëz mund të kenë ndonjë prapavijë mund të themi jo të kënaqshme për shoqërinë tonë dhe për vendin tonë dhe këtë duhet ta kenë të qartë edhe kompanitë edhe shteti se nga këta persona nuk përfitohet asgjë”, ka thënë ai.
Instituti GAP: Në vitin 2023 u lëshuan 3,646 leje-qëndrime të përkohshme për arsye punësimi
Derisa vetëm për katër muaj të vitit 2023 janë bërë mbi 1500 kërkesa për leje qëndrim me qellim të punësimit, nga Instituti GAP kanë deklaruar për Front Online se për gjithë vitin, pra në periudhën janar-dhjetor 2023 janë lëshuar gjithsej 3,646 leje-qëndrime të përkohshme për arsye punësimi.
Anisa Zogaj hulumtuese në Institutin GAP, deklaron për Front Online se prej këtyre leje-qëndrime janë 1,004 për shtetas nga Turqia, 722 nga Bangladeshi, 465 nga Serbia, 440 nga Shqipëria, 211 nga Maqedonia e Veriut dhe 804 nga vende tjera.
Sipas saj ngjashëm, në vitin paraprak (2022), numri i personave të cilët u pajisën me leje-qëndrime për arsye punësimi ishte ekuivalent me 2,979.
Pothuajse gjysma e aplikimeve janë aplikime për herë të dytë, që nënkupton, vazhdimësi e leje-qëndrimeve.
Ajo tregon edhe arsyet se përse kompanitë kosovare po detyrohen të kërkojnë punëtorë edhe nga vendet e huaja.
“Në mungesë të fuqisë punëtore, bizneset detyrohen të kërkojnë punëtorë jashtë vendit. Sipas anketës së kryer nga Instituti GAP në lidhje me sektorët të cilët priten të preken më së shumti nga emigrimi i fuqisë punëtore, del që sektorët të cilët ndikohen më së shumti janë ndërtimtaria, hoteleria dhe gastronomia, ndjekur nga sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë, dhe prodhimi. Të njëjtit janë sektorët të cilët kanë numrin më të madh të të punësuarve, dhe produktivitetin më të lartë, por me rroga nën rrogën mesatare në Kosovë. Në përballje me mungesë të punëtorëve në këta sektorë, bizneset janë të detyruar të gjejnë zëvendësim nga punëtorët e shteteve tjera”, është shprehur Zogaj, për Front Online.
Sipas Zogajt, nëse ky trend vazhdon atëherë bizneset do të detyrohen të ofrojnë kushte më të mira të punësimit.
“Duke pasur parasysh qe zëvendësimi i fuqisë punëtore të cilët largohen nga Kosova, me fuqi punëtore nga shtetet e huaja, nuk është i mjaftueshëm, bizneset do të detyrohen të ofrojnë kushte më të mira të punësimit, përfshirë rritje të pagave, respektim të kontratës së punës, orarit të punës, pushimit vjetor dhe të ngjashme”, ka shtuar Zogaj.
Punësimi i shtetaseve të huaj në Kosovë është i rregulluar me Ligjin për të huajt.
Sipas këtij ligji, personat fizikë, që nuk janë shtetas të Kosovës, kur dëshirojnë të punojnë në territorin e Kosovës duhet të pajisen me leje pune.
Për lejeqëndrim me qëllim të punës, shtetasi i huaj duhet të grumbullojë një varg dokumentesh – në mesin e tyre: kontrata e punës, dëshmia që nuk është i dënuar, dëshmia për arsimimin dhe kualifikimin që ka, sigurimi shëndetësor e të tjera.
Mbledhja dhe procedimi i tyre shpesh marrin muaj të tërë kohë.
Leja e qëndrimit të përkohshëm për qëllime pune lëshohet për 6 muaj deri në 1 vit.
Pas kësaj periudhe, kjo leje ripërtërihet dhe mund të merret edhe leje e përhershme qëndrimi./Demokracia