Para tre vjetësh Përparim Rama pati klientë pronarët e mbi 8 hektarësh tokë në Badoc, ku planifikohej ndërtimi i një lagjeje. Projekti u ndalua sa Lumir Abdixhiku ishte ministër. Por në fund të muajit të shkuar, me propozim të Ramës e me ndihmën e asamblistëve të Vetëvendosjes që e bënë kuorumin, Kuvendi Komunal vendosi që ajo të këmbehej me një pronë tjetër gati trefish më të madhe në zonën Prishtina e Re.
Me propozim të kryetarit Përparim Rama e me ndihmën e asamblistëve të Vetëvendosjes që e bënë kuorumin, Kuvendi Komunal i Prishtinës i ka hapur rrugë këmbimit të pronës komunale me atë private të dy biznesmenëve me të cilët në të kaluarën Rama ka pasur raporte kontraktuale.
Kryetari Rama ka qenë i angazhuar si arkitekt për ndërtimet në zonën e Badocit, në një pronë që për aksionarë ka biznesmenët Rrahman Haradini e Shaban Konxhuli. Para 4 vjetësh Rama publikisht ka deklaruar se është angazhuar nga biznesmeni Haradini për hartimin e projektit.
E, në vitin 2020, Lumir Abdixhiku si ministër në kabinetin e Qeverisë Kurti 1 anuloi vendimet që lejonin ndërtimet në Badoc.
Për pasojë, toka e të dy biznesmenëve mbeti e pashfrytëzuar.
Por, në fund të muajit të shkuar, me propozim të Ramës, Kuvendi Komunal vendosi që kjo tokë të merrej nga Komuna, ndërsa në këmbim t’i jepej një pronë tjetër në zonën Prishtina e Re.
Arsyetimi në propozim është konfuz e dispozitivi i vendimit nuk përmban elementet bazike. Në të thuhet që pjesa e propozuar për këmbim ka sipërfaqe të përgjithshme rreth 21 hektarë, ku lejohet ndërtimi deri në 6 kate.
Bazuar në çmimin e tregut, një ari në këtë pjesë kushton së paku 10 mijë euro, duke e bërë vlerën e kësaj parcele rreth 20 milionë euro.
Ndërkaq toka në Badoc e të dy biznesmenëve ka sipërfaqe mbi 8 hektarë dhe në të nuk lejohen ndërtimet.
KOHA ka provuar të konfirmojë vlerën financiare të kësaj prone, por ka qenë e pamundur për shkak se çmimi ka ndërruar prej kur është ndaluar ndërtimi.
Ministria e Pushtetit Lokal ka vlerësuar ligjshmërinë e vendimit, të cilin edhe e ka validuar.
Televizioni për këtë çështje ka dërguar pyetje te Komuna e Prishtinës, MAPL-ja dhe te biznesmenë, por askush nga ta nuk kanë kthyer përgjigje.
Në kufi të një pjese të pronës që u është dhënë të dy biznesmenëve, do të kalojë projekti rrugor “Unaza e Jashtme e Prishtinës”.
E në njërën anë, ajo kufizohet me parcelën e ndarë për Presidencë, ndërsa në kufi ka parcelat e dedikuara për ndërtimin e spitaleve, qendrave për kujdes të fëmijëve e institucione publike.
Asamblistja e Vetëvendosjes, Nora Kelmendi, në mbledhjen kur është votuar propozimi, ka thënë se çështje duhet të shkojë në prokurori.
“Kjo që po bëni ju është shkelje. Kjo çështje është për Prokurori, besoni që është për Prokurori. 20 hektarë po i këmbeni me 8 hektarë. Kryetar, duheni me thanë bre diçka”, ka deklaruar ajo më 21 dhjetor.
Asamblistët e PDK-së nuk kanë marrë pjesë në këtë seancë. Ndërkaq mungesa e atyre të Vetëvendosjes në opozitë do ta pamundësonte kuorumin për vendimmarrje.
Por, shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, ka dhenë një arsyetim për qëndrimin në sallë.
“Pikësëpari mendoj që nuk është në rregull të thuhet se Vetëvendosje e ka bërë kuorumin. Na vetëm kemi shkuar në vendin tonë të punës, për të cilin jemi të zgjedhur. Do të thotë jemi asamblistë. Atë ditë kemi pasur seancë. Ka pasur shumë pika të rëndësishme të rendit të ditës. Më të rëndësishmet kanë qenë pronat që i përmendët ju, por kanë qenë gjithashtu rregullorja për ‘Prishtina Parking’ dhe ka qenë plani rregullues për lagjen ‘Kalabria’”, ka thënë Sveçla.
Vendimi për këmbimin e pronave do të hyjë në fuqi nëse e kalon edhe një hallkë pas vlerësimit të ligjshmërisë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Është Ministria e Financave ajo që do ta japë vlerësim financiar të dokumentit.