Kryetari i partisë “Guxo” në Gjermani, Berlind Gajraku dhe 20 të tjërë, janë përzgjedhur nga MPJD në programin për Diplomaci Qytetare 2023.
Demokracia.com ka raportuar javë më parë për angazhimin e tij dhe 20 të rinjve të tjerë nga diaspora, kryesisht të afërt me pushtetin.
Gajraku do të paguhet 10 mijë euro për një vit dhe ky projekt do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës në total 210 mijë euro.
Sipas kontratës që ka siguruar Demokracia.com, Gajraku do të angazhohet deri më 7 shtator 2024.
Pagesa do t’i bëhet me tri këste. Përveç pagesës prej 1o mijë euro, shteti i Kosovës do t’ia paguajë atij edhe biletën për në vendin nga vjen.
Demokracia.com kishte raportuar se Gajraku ishte renditur i 16-ti në listën përfundimtare të kandidatëve të përzgjedhur, e cila është publikuar në faqen e MPJD-së.
Përveç Gajrakut, pjesë e angazhimit është edhe Don Osmani, i cili edhe më herët ishte i angazhuar në institucionet e shtetit, por si praktikant.
Osmani e kishte përfunduar praktikën në ambasadën e Kosovës në Hagë. Po ashtu, i afërt me pushtetin duket edhe Agonis Jashari, i cili ka edhe foto me kryeministrin Kurti.
Ndërsa, me aq sa ka mundur të hulumtojë Demokracia.com, e afërt me pushtetin e ri duket të jetë edhe Rea Spahiu, e cila është vajza e Dukagjin Spahiut, që bazuar në rrjetin e tij social, Facebook, rezulton të jetë simpatizant i flakët i Qeverisë së Kurtit.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë kishte lansuar programin pilot për Diplomaci Qytetare.
Ky program u tha se ka për qëllim t’i ndërlidhë profesionistët e rinj nga diaspora, duke u ofruar hapësirë dhe mundësi angazhimi në kuadër të MPJD-së, si pjesë e një angazhimi gjashtëmujor (6) në Kosovë për t’i shkëmbyer njohuritë dhe përvojat e tyre në kuadër të diplomacisë qytetare, me fokus te diplomacia e diasporës, diplomacia publike dhe ajo ekonomike.
Në gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka miratuar programin për diplomaci qytetare 2023-2025./Demokracia.com