Serbia prodhon një tjetër dokumentar propagandistik për Reçakun

- in Lajme

Një prej karakteristikave kryesore të prodhimit dhe të përhapjes së propagandës është depërtimi dixhital nëpërmjet mediave tradicionale, duke përfshirë stacionet televizive dhe gazetat kryesore, ndërsa shembujt nuk janë të vështirë për t’u gjetur në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Serbi – një shtet në mes të një kryqëzimi kritik midis demokracisë dhe autoritarizmit.

Radio Televizioni i Serbisë (RTS) do të transmetojë një tjetër dokumentar propagandistik për Masakrën e Reçakut – një episod tjetër në serinë e gjatë të vrasjeve masive të kryer nga forcat ushtarake dhe policore serbe gjatë luftës në Kosovë, një ngjarje tronditëse dhe tmerruese, mizoria e së cilës mund të matet me anë të peshimit të hirit dhe plagëve që mbeten të hapura.

Dokumentari i titulluar “Kosova – Dosja e Reçakut” – prodhim i RTS-së nën patronazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë (MPJ) – do të transmetohet të martën në orën 20:50. Në njoftimin e televizionit është thënë se dokumentari në fjalë synon t’i përgjigjet “pyetjeve të shumta”, duke e cilësuar masakrën e 45 civilëve shqiptarë “aksion anti-terror”.
Në Serbi pretendojnë se Raçaku u inskenua nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Megjithatë, raporti i ekipit finlandez të Këshillit të Evropës (KiE) nga mjekësia ligjore konfirmoi se asnjëra nga 45 viktimat nuk doli të ishte tjetër përpos “civil i pambrojtur dhe i paarmatosur” për t’u pasuar nga deklarata e Këshillit të Sigurimit (KS) ku thuhej se Serbia ishte përgjegjëse për mizorinë./Demokracia