Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar sërish se rreziku për sulm nga Serbia mbetet i madh.
I njëjti tha se Kosova është e përgatitur se kurrë për t’u përballur me sulme të tilla.
“Patjetër që rreziku mbetet i madh përderisa ekziston qasja agresive, përderisa ekziston qasja hegjemoniste, përderisa nuk kemi distancim nga qeverija e Serbisë për grupet të cilat zhvilluan akt terrorist në Kosovë. Përderisa individët nga këto grupe lëvizin lirshëm nëpër Serbi, bile edhe zhvillojnë aktivitete atje. Atëherë ne e shohim të mundshëm një kërcënim të tilllë në raport me vendin tonë por gjithmonë ne jemi më të gatshëm se kurrë. Më shumë se kurrë Policia e Kosovës sot ka krehje të terrenit në pjesën veriore të vendit tonë, jemi më të përgatitur se kurrë për t’u ballafaquar me kërcënime të tilla”, deklaroi Maqedonci.
Në lidhje me paralajmërimet për sulme dhe deklaratën e Maqedoncit ka folur për “Gazeta Blic”, deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli.
Humolli ngre pyetjen se si po përgatiten institucionet e sigurisë së Kosovës?
Ai shton se cili polic do të kishte vullnet për të dhënë maksimumin për sigurinë e vendit kur nuk ka sigurim shëndetësor dhe ‘goditet’ veterani i luftës.
“Si po përgatiten institucionet e sigurisë? Nuk ka sigurim shëndetësor, e godet veteranin e luftës dhe kur e bën një gjë të tillë cili polic ka vullnet për të dhënë maksimumin për sigurinë e vendit. Vetëm me pa seancën e fundit të vitit të kaluar kur sheh se Kuvendi vjen në vijën politike me Radojiçiqin kundër veteranëve të luftës, çfarë ka këtu me diskutu ma” tha shkurt Humolli.
Paralajmërimet se mund të ketë sërish sulme në veri janë dhënë edhe nga presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Kurti ditë më parë ka thënë se Milan Radojiçiq po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.
“Radoiçiq po vazhdon përgatitjet për sulme të reja ndaj Kosovës, po mban takime sekrete në BIA. Paguhen nga dy mijë euro, ata po strehohen në objektet e tij” deklaroi Kurti./Demokracia