“Kundër Kosovës”, “Aspak neutral e korrekt” – Kurti nesër takon Lajçakun që e cilësonte si deformues të dialogut

- in Lajme

“Lajçak u pozicionua kundër Kosovës”, kështu kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti, më 18 shtator, në një konferencë për media në Kosovë.

Kurti këtë deklaratë e kishte bërë pas një takimi dialogues Kosovë-Serbi në Bruksel.

Përveç kësaj, Kurti e kishte akuzuar rëndë emisarin Miroslav Lajçak menjëherë pas takimit të shtatorit.

“Këtu kemi të bëjmë me një emisar evropian, i cili e ka deformuar procesin. Neve nuk na duhet një ndërmjetësim i tillë i njëanshëm, aspak neutral e korrekt, i cili shkon kundër Marrëveshjes Bazike, siç ka ndodhur me [ndërmjetësimin] e emisarit Lajçak tani”, ishin fjalët e Kurtit në takimin e shtatorit, pas takimit dialogues me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, si dhe dy emisarët evropianë, Lajçak e Borrell.

Përkundër akuzave të rënda, Kurti ka vazhduar të takohet me emisarin Lajçak, që sipas kryeministrit Kurti, është pozicionuar në anën e Serbisë.

Ai do të takohet nesër me Lajçakun në forumin e Davosit në Zvicër.

Këtë e ka konfirmuar për RTK-në, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka theksuar se takimet do të jenë të ndara, deri sa sipas tij nuk pritet të ndodhë ndonjë takim trepalësh.

Përpos takimeve, Kurti në tetor edhe e kishte falendëruar Lajçakun për angazhimin në dialog.

“Në takimin e sotëm, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak, Kryeministri Kurti i falënderoi të gjithë ata për rolin, angazhimin dhe kontributin për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga Qeveria më 26 tetor 2023.

Emisari Lajçak më 31 dhjetor 2023 kërkoi që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të zbatohet këtë vit.

Lajçak kishte thënë se pritet që “Kosova më në fund të ecë përpara” drejt themelimit të Asociacionit dhe Serbia paralelisht “t’i përmbush pjesët thelbësore të obligimeve të saj sipas marrëveshjes”. Ai kishte thënë se zbatimi nuk mund të jetë proces i pafund dhe presin që themelimi i Asociacionit të nisë në fillim të vitit 2024.

“Diskutimet për hapat e veprimet dhe renditjen e tyre janë duke vazhduar dhe ne presim që palët të arrijnë një marrëveshje së shpejti në mënyrë që më në fund të fillojë zbatimi. Është e qartë, megjithatë, se derisa Kosova më në fund pritet të ecë përpara me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, Serbia pritet të përmbushë paralelisht pjesët thelbësore të obligimeve të saj sipas marrëveshjes. Ky proces duhet të jetë transparent dhe i drejtë”, ishte shprehur Lajçak./Demokracia.com/