ShBA reagon pas sulmeve të Qeverisë Kurti mbi Gjykatën Kushtetuese: Pavarësia e gjyqësorit është themeli i demokracisë

- in Lajme

Liderët e Kosovës kohëve të fundit e kanë ashpërsuar tejmase gjuhën ndaj Gjykatës Kushtetuese. “Jokredibile”, “e korruptuar”, “penguese e reformave në drejtësi” – janë vetëm disa prej fjalëve drejtuar këtij institucioni.

Jorrallë herë kemi parë sulme të tilla nga Qeveria në krye me Albin Kurti, e sidomos kur iu rrezohen ligjet, pasi deri më tani janë rrëzuar disa të tilla. Qysh e shohin Shtetet e Bashkuara të Amerikës një situatë të tillë?

Në fakt, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë komentuar konkretisht këto sulme, megjithatë, nga ambasada për Nacionalen kanë ritheksuar mbështetjen për institucionet e pavarura gjyqësore.

“Ne ritheksojmë mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për institucionet e pavarura gjyqësore të Kosovës që ofrojnë drejtësi për të gjithë qytetarët.” – thuhet në një përgjigje të tyre.

Po ashtu, ShBA e potencon qartë: “Pavarësia e gjyqësorit është një gur themeli i demokracisë, dhe ne mbetemi të përkushtuar për të ndihmuar institucionet e Kosovës për të promovuar dhe forcuar sundimin e ligjit”.

“Jokredibile” dhe “e korruptuar”

Institucioni më i lartë dhe kyç i vendit, kohëve të fundit ka qenë cak i shumë fjalëve të rënda nga ata në pushtet. Duke nisur nga Albin Kurti, kryeministër, numri dy në Qeveri, Besnik Bislimi dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu – të gjithë kanë pasur deklarata kundër Kushtetueses, duke u pasuar me përsëritje edhe nga aktivistë të partisë së tyre, Lëvizjes Vetëvendosje.

Para një viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte dhënë një deklaratë, përmes së cilës kishte lënë të kuptojë se “nëntë gjykatës” nuk mund ta pengojnë një person me “400 mijë vota”.

Jo shumë ditë më parë, zëvendësi i tij, Besnik Bislimi zgjodhi që Kushtetuesen ta sulmojë përmes disa fjalëve në një intervistë për mediumin serb “Radio Gorazdevc”.

Kjo Gjykatë, sipas Bislimit, nuk ka kompetenca e kredibilitet:

“Gjykata jonë Kushtetuese është e njohur në prodhimin e dokumenteve/vendimeve kontraverze; dhe këtë e shohim në baza ditore sepse besojmë që atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti. Dhe ky s’është i vetmi vendim i kushtetues që s’ka mundur të gjejë zbatim”.

Por zëvendëskryeministri nuk u ndal me kaq, ai vijoi dhe e quajti Gjykatën Kushtetuese një “mjedis i korruptuar”.

“Por, nëse puna ime, nëse premtimi im ndaj qytetarëve është që t’u jap drejtësi – kur e dimë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është produkt i një mjedisi të korruptuar – më e pakta që mund të bëjë është të them se ky vendim, në mendimin tim nuk është produkt i një institucioni kredibil.” – u shpreh ai.

Ndërkohë, kolegia e tij, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar Gjykatën Kushtetuese si një prej institucioneve që po pengon “jo vetëm reformën në drejtësi, por edhe në fusha të tjera”.

“Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformës jo vetëm në drejtësi por edhe në fushat tjera. Këtë po e them sepse opozita po e konsideron si shpëtim në mënyrë që të mos jetësohen reformat, qoftë në drejtësi qoftë në aspektin ekonomik financiar dhe ato që kanë të bëjnë me administratën publike.” – ka thënë ajo para pak ditësh.

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pjesërisht Ligjin për Pagat. Edhe para këtij njoftimi nga Kushtetuesja, shumë ekspertë patën konstatuar se ligji është shkruar gabimisht.

Ligji për çmimet tavan për produktet bazë, gjithashtu ka rënë ndesh me kushtetutën.

Ligji për zyrtarë publik – në shumë nene në kundërshtim me kushtetutën.

Ligji për Këshillin Prokuorial – Në kundërshtim me Kushtetutën (gjithashtu me vërejtje nga Komisioni i Venecias)

Vendimi për shkarkimin e Bordit të RTK-së – Në kundërshtim me Kushtetutën.

Reformat në arsim në Komunën e Kamenicës – Nagavci kishte rënë në testin e kushtetueses.

Janë edhe dy vendime të tjera në kohën e pandemisë, që kishin rënë ndesh me kushtetutën.

Ndërkohë në shqyrtim vazhdojnë të jenë: Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Fondi Sovran, madje pritet edhe Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme të kontestohet nga Avokati i Popullit./Demokracia