Me të filluar viti 2024, Komuna e Prishtinës i ka nisur disa prej investimeve madhore që i ka paraparë në planin buxhetor të këtij viti.
Nëse i ecin mirë procedurat e prokurimit, Komuna e Prishtinës përfundimisht do ta fusë në tender më 1 mars 2024 ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, i cili është në plan që disa vite.
Për ndërtimin e tij janë ndarë mjete në vlerë prej 12, 800, 000.00 euro. Kjo është bërë e ditur në “njoftimin paraprak”, që Komuna e Prishtinës ka bërë në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, raporton Demokracia.com.
“Njoftimi Paraprak” bëhet për procedurat tenderuese të vlerave të mëdha dhe pas përgatitjes së planifikimit final të prokurimit, zyrtari përgjegjës i prokurimit do të verifikojë nëse autoriteti kontraktues synon të bëjë dhënien e kontratave gjatë periudhës së ardhshme 12-mujore.
Me Ligjin për Kryeqytetin të miratuar në vitin 2017, Prishtina e ka të paraparë që përveç shërbimeve të kujdesit primar shëndetësor, të ofrojë edhe shërbime të kujdesit sekondar shëndetësor, që nënkupton ndërtimin e spitalit të kryeqytetit.
Rreth 4 hektarë tokë janë ndarë nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e këtij spitali. Toka komunale prapa Pallatit të Drejtësisë është vendi ku pritet të fillojnë punimet sivjet.
Kompania “ICME” tashmë e ka përfunduar pjesën e dytë të fizibilitetit.
Në vitin 2019, Ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Uran Ismaili, së bashku me Ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilat, kishin nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës./Demokracia.com/