​Felix tregon mentorin e tij, dhe shpreh admirim për Mason Mount

- in Sport

Joao Felix ka emëruar Cristiano Ronaldon si mentorin e tij, ku po ashtu ka treguar edhe admirimin që e ka për yllin e Chelsea Mason Mount, para ndeshjes së Atleticos me Chelsean në kuadër të Ligës së Kampionëve.

21-vjeçari ka treguar influencën e madhe që ka Cristiano Ronaldo tek ai, ku gjithmonë e këshillon për ta përmirësuar lojën e tij, dhe që të përgatitet për ndeshje të mëdha, përcjell KosovaPress.

“Cristiano ka një influencë të madhe tek unë. Kur jemi me kombëtaren tonë, ai gjithmonë mundohet të më këshillojë dhe të më motivojë”, tha Felix për “Daily Mail”.

Po ashtu, Felix ka folur edhe për yllin e Chelsea Mason Mount, ku ka treguar admirimin e tij për mesfushorin ofensiv.

“Më pëlqen mënyra se si Mount luan, mënyra se si lëviz dhe prek topin. Kur kam luajtur me Chris Willock te Benfica, ai më kishte thënë që Chelsea e ka një lojtar të ngjashëm si unë dhe se ai lojtar është Mason Mount. Disa vite më vonë, ai fillon të luaj me Chelsean, dhe më pëlqen mënyra se si luan. Chris më ka treguar për të para se ai të paraqitej në Premier Ligë, dhe mezi prisja ta shoh duke luajtur”, shtoi ylli portugez.

Felix pritet të startojë sot përkrah Suarezit në sulmin e Atleticos, në ndeshjen kundër Chelseat, në Bukuresht të Rumanisë./KosovaPress