Kurti ia huq me faktet për qytetarin e arrestuar në Serbi, korrigjohet nga Albulena Haxhiu

- in Lajme

Albulena Haxhiu ka dhënë një sqarim pas shpërndarjes së informatave të gabuara nga kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

Duke folur për të arrestuarit kosovarë në Serbi, kryeministri Kurti tha se Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula po “mbahen në burgjet e Serbisë”, ndonëse Dula është liruar para disa muajsh nga autoritetet serbe.

“Kjo nuk është hera e parë, kjo është sjellje e qëllimshme e dashakeqe e Serbisë që bie ndesh me konventat ndërkombëtare. Serbia mban në paraburgim edhe Petrit Dulën e Nezir Mehmetajn, gjoja për krime lufte. Nezir Mehmetaj ka qëndruar për muaj të tërë pa aktakuzë. Petrit Dula vuan burgimin bazuar në vendimin e gjykatës përkundër që dëshmitari në rastin e tij ka mohuar që Dula është autor i veprës edhe kur është marrë në pyetje nga autoritetet në Podgoricë,” tha Kurti të mërkuren.

Pas ‘huqjes’ së kryeministrit Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u detyrua të dal me një sqarim në konferencën për media menjëherë pas mbledhjes.

Haxhiu nuk e fajësoi shefin e qeverisë. Tha se kryeministri ia ka theksuar se Dula është liruar, por ajo tha se faji është te shkruesit e fjalimit të kryeministrit, të cilët kanë gabuar teknikisht.

“Më lejoni që para se të fillojmë, të bëjmë një sqarim në raport me fjalën e kryeministrit Kurti. Menjëherë pasi që kryeministri Kurti e përfundoi fjalën e tij, u konsultuam bashkë në raport me Petrit Dulën dhe Nezir Mehmetajn, i cili, ky i fundit po mbahet në burgje në Serbi. Ndërkaq, sa i përket Petrit Dulës, kryeministri më theksoj se i njëjti është liruar, mirëpo edhe Petrit Dula edhe Nezir Mehmetaj janë futur në një paragraf. Andaj, më lejoni që t’ua sqaroj; ideja ka qenë që të flasim për trajtimin mizor dhe po ashtu padrejtësitë që Serbia vazhdon t’ua bëjë qytetarëve tanë duke i mbajtur ata në paraburgim pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë”, tha ajo.

Nezir Mehmetaj po mbahet ende në burgjet serbe.

Ndërkaq, Petrit Dula shtë liruar në prill të këtij viti, siç e ka bërë të ditur ai në një bisedë me televizionin “Dukagjini”.

“Po, jam liruar më shtatë prill (2023), ndërsa jam arrestuar më katër qershor të vitit 2022”, kishte thënë ai./Demokracia