Që nga fundi i tetorit të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq nuk janë ulur në tryezë të bisedimeve.
Madje, edhe ky takim ishte në margjina të samitit të Këshillit Evropian.
Në atë kohë Bashkimi Evropian kishte konfirmuar se Kurti dhe Vuçiq do të kenë takime të ndara me katër liderët evropianë, përfaqësuesit e të cilëve vizituan Kosovën dhe Serbinë më 21 tetor.
Bashkësia ndërkombëtare, së voni, ka rritur trysninë mbi Kosovën për ta formuar Asociacionin dhe mbi Serbinë për ta njohur de facto Kosovën, duke e parë këtë si rrugë të vetme për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Pas kërkesave të shumta të faktorit ndërkombëtar se Qeveria e Kosovës duhet ta themelojë Asociacionin në bazë të draft-statutit të propozuar nga BE-ja, kryeministri Albin Kurti ka thënë se BE-ja dhe presidenti serb Vuçiq e kanë humbur shansin më 26 tetor në Bruksel, kur ai ishte i gatshëm ta nënshkruajë Asociacionin, ndërsa Vuçiq jo.
Por, pavarësisht këtij presioni ende nuk dihet se kur do të ketë takim mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Qoftë të nivelit teknik apo edhe atij të lartë.
Nga Bashkimi Evropian kanë deklaruar për Front Online se do të njoftojnë për takim kur të është e nevojshme.
“Si gjithmonë, ne do të ju njoftojmë për çdo takim të ardhshëm të dialogut kur të është e nevojshme”,është shprehur Zoi Muletier nga zyra e Bashkimit Evropian.
Që nuk dihet se kur do të ketë takim mes dy vendeve e ka thënë për Front Online edhe këshilltari i zv.kryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu.
“Do të mbaheni të informuar kur të ketë diçka”, ka thënë ai.
Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim.
Dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor.
Gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Duke folur për gazetën britanike, Financial Times, më 25 tetor, Kurti tha se “nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog”.
Ky proces që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së. Palët arritën dhjetëra marrëveshje për këtë qëllim, por shumë prej tyre nuk u zbatuan kurrë. Një nga to është edhe ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Edhe pse ka marrëveshje nga viti 2013 për të, zyrtarët në Prishtinë thonë se e tillë siç është, do të ndikonte keq në funksionalitetin e shtetit dhe kanë dalë me disa propozime të tjera për rregullimin e çështjeve të komuniteteve pakicë.
Por, si BE-ja, ashtu edhe SHBA-ja e rritën së voni trysninë mbi Kosovën për të formuar Asociacionin.
Derisa nga SHBA-ja thonë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për BE-në çështja se si bëhet Asociacioni dhe si do të operojë, duhet të diskutohet në dialog./Demokracia