Momenti historik për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për kryeministër shqiptar, ka arritur.
Më 28 janar 2024, Kuvendi i Maqedonisë do të votojë për formimin e Qeverisë teknike me kryeministër një shqiptar, Talat Xhaferin, shkruan Demokracia.com.
Që kjo do të ndodhte, ishte paralajmëruar gati katër vite më herët nga ish-drejtuesi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, në cilësinë e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, më 22 qershor 2020.
Por, edhe në këto momente historike, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po i injoron ato dhe është pozicionuar qartë në fushatën zgjedhore, të cilat do të mbahen tre muaj e gjysmë pas votimit historik në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.
Në fillim të dhjetorit të vitit 2023, drejtuesit e partive politike në Maqedoninë e Veriut kishin rënë dakord për datën e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në 2024.
Në një takim të thirrur nga Kryeministri dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Dimitar Kovaçevski, ku morën pjesë pothuajse të gjithë drejtuesit e partive politike (kryetari i partisë VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, i Lidhjes Sacial Demokrate, Dimitar Kovaçevski, i Bashkimit Demorkatik për Integrim, Ali Ahmeti, i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kryetarët e partive të koalicionit Lëvizja Evropiane për Ndryshim: Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti dhe kryetarët e partive më të vogla, me përjashtim të kryetarit të partisë “E Majta”) ishte arritur konsensusi që raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të mbahet më 24 prill të vitit 2024, ndërsa raundi i dytë të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj të vitit 2024.
Çuditërisht. drejtuesit e koalicionit Lëvizjes Evropiane për Ndryshim, që përbëhet nga tri partitë politike shqiptare (Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike) kishin dalë shumë shpejtë nga takimi me arsyetimin qesharak se Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, nuk dëshironte të dëgjojë për ndryshimet në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Pavarësisht këtij momenti historik nëpër të cilin po kalojnë shqiptarët me rol shtetformues në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili gjatë opozitarizmit të tij kapej rreth ideve për avancimin e çështjes kombëtare shqiptare në rajon, as kësaj radhe nuk është pozicionuar në mbështetje të realizimit të kësaj arritjeje historike.
Edhe një muaj pas këtij takimi dakordues mes palëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut që drejtimin e qeverisë teknike ta marrë një shqiptar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka përshëndetur këtë.
Brenda pak muajve, Maqedonia e Veriut do të votojë për Kuvendin e ri, ndërkohë kryeministri Kurti, në mënyrë të paprecedentë, ka filluar të përzihet në çështjet politike të këtij shteti.
Në vend se t’i shërbejë unifikimit të spektrit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Kurti po e bën të kundërtën. Ai është pozicionuar qartë politikisht, pikërisht në mbështetje të tri partive politike shqiptare që përbëjnë Lëvizjes Evropiane për Ndryshim (LEN).
Partia e Kurtit, Vetëvendosje, është bërë zyrtarisht pjesë e LEN-it, më 24 dhjetor 2023. Këshilltari i Kurtit për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë shtylla e katërt e opozitës shqiptare në këtë shtet, bashkë me Lëvizjen Demokratike, Alternativën dhe Lëvizjen Besa. /Demokracia.com/