Edhe 2023-ta u përgjak me privimin nga jeta të tri grave. Shteti sërish u trondit me vrasjen e tyre nga burrat. Naim Murseli dyshohet se planifikoi vrasjen e bashkëshortes, Liridona Ademajt, ani pse ai vetë nuk ishte dorasi. Urim Hyseni dyshohet se ekzekutoi nënën e tij, duke ia prerë kokën e ther në 22 vende të trupit.
Në gusht të vitit të kaluar, e pasigurt ishte edhe një grua argjentinase në Fushë Kosovë, ku edhe në këtë rast dyshohet se vrasësi ishte burri i saj.
Organizatat që avokojnë për të drejtat e grave konsiderojnë, se ka dështuar zinxhiri institucional në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Po ashtu, thuhet se 90 për qind e rasteve të dënimeve për dhunë janë me gjobë, e shumë pak me burgim efektiv. Veç kësaj kërkojnë që të punohet në parandalim, për çka ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se kanë ndërmarrë disa veprime.
Në përgjigjen për KosovaPress, Policia e Kosovës njofton se gjatë vitit të kaluar janë vrarë tri gra e janë raportuar mbi 2000 raste të dhunës në familje.
“Gjatë periudhës janar-tetor 2023 janë evidentuar 2.186 raste të dhunës në familje. Viktimë të këtyre rasteve kanë qenë 1.763 femra dhe 497 meshkuj (ndonjë rast ka pasur më shumë se një viktimë). Kanë ndodhur katër raste “vrasje e rëndë’ (vrasje brenda familjes), në këto katër raste janë evidentuar pesë viktima (një rast me dy viktima), dy meshkuj dhe tri femra”, thuhet në përgjigje.
Shteti ka dështuar të parandalojë këto raste, thotë për KosovaPress Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Ajo shton se ende këto raste nuk kanë arritur të adresohen në mënyrën e duhur nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.
“Në vazhdimësi, ne kemi raportuar dhe kemi përmendur raste ku ka dështuar zinxhiri institucional, qoftë në fazën e trajtimit të rastit në polici, qoftë pastaj në fazën e trajtimit në prokurori apo në fund edhe në gjykatë…”, thekson ajo.
Sipas saj, rastet me fatalitet janë pikërisht ato që paraprakisht janë raportuar, por që nuk janë ndërmarrë masa të duhura.
Edhe Adelinë Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë se iu takon institucioneve të Kosovës të punojnë në parandalimin e dhunës në familje.
Gjatë insistimit të grave për raportim të dhunës në stacion policor, Berisha thotë se kanë vërejtur se policia nuk ruan konfidencialitetin e tyre.
Për rastin e fundit të vrasjes së Liridona Ademajt, flet edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila konsideron se ky është rasti më i rëndë dhe tragjik.
Përkundër rasteve fatale, Haxhiu konsideron se institucionet kanë ndërmarrë veprime për parandalimin e rasteve të dhunës familjare. Ajo përmend strategjinë për parandalimin, për çka thotë se obligon institucionet të ndërmarrin veprime.
Në kuadër të fushatës globale të “16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore” është lansuar edhe masa për punësimin e viktimave të dhunës në familje.
Ajo deklaron se janë në pritje të Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ku mendohet se do t’u jepen në shfrytëzim viktimave të dhunës në familje. Të gjitha këto raste të vrasjeve të grave gjatë vitit të kaluar po hetohen në institucionet kompetente, për çka epilogu pritet këtë vit./Demokracia