Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se reformat në drejtësi po kundërshtohen nga sistemi i drejtësisë dhe opozita. Aleate të Gjykatës Kushtetuese i konsideron partitë opozitare, për të cilat thotë se po i ruajnë interesat e tyre.
Sipas saj, konkurset e fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës shpërfaqin pazaret brenda këtij sistemi.
Ajo për KosovaPress ka folur edhe për kundërshtimet e disa deputetëve të pushtetit për Kodin Civil.
Optimiste nuk është edhe për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit, për çka deklaron se vetëm ekipet profesionale mund ta trajtojnë këtë rast.
Sistemi i drejtësisë është i pavarur vetëm në letër, thotë ministrja Albulena Haxhiu.
Teksa komenton raportet me Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor, ajo konsideron se kjo po ndodh për shkak të reformave.
”Po vazhdon kjo nga viti në vit, unë besoj që kështu do të përfundoj mandati im si ministre e Drejtësisë, për faktin se reformat, të cilat ne i kemi nisur si Ministri e Drejtësisë, duket që për të njëjtat nuk ka mbështetje nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, me theks nga Këshilli Prokurorial i Kosovës…”.
Problemet më të theksuara, siç thekson Haxhiu, janë brenda sistemit prokurorial të Kosovës. Ajo konsideron se në konkurset e fundit janë shpërfaqur haptazi pazaret.
Ministrja Haxhiu shton se Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës është reformë e rëndësishme.
”Opozita ka zgjedhur që ta pengojë reformën në drejtësi”, thotë Haxhiu mes tjerash.
Madje, Haxhiu konsideron që opozita është bërë aleate e Gjykatës Kushtetuese.
Tutje, thotë se Kushtetuesja nuk duhet të marrë një vit kohë për reforma të rëndësishme, por të trajtohen këto raste me prioritet. Jo vetëm nga opozita, por Kodi Civil nuk po gjen mbështetjen e as të deputetëve të shumicës.
”Është e rëndësishme që të kalojë (Kodi Civil), sidomos kur ne jemi në prag, gjegjësisht në fazat e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Madje edhe në një prej raporteve të ekspertëve të Këshillit të Evropës të cilët e kanë vlerësuar gjendjen në Kosovë që është një fazë që bëhet para anëtarësimit, është përmendur rëndësia e kalimit të Kodit Civil”.
”Ne nuk e kemi proceduar, gjegjësisht e kemi shtyrë për këtë vit, e kemi pasur plan që në vitin 2023 ta procedojmë, por nuk i kemi pasur votat në Kuvend. Gjegjësisht, ideja është që të mos shkojë sërish në Kuvend dhe të dështojë sërish, sepse do të jetë goditje për Kosovën, sikurse edhe goditje edhe për qeverinë, sepse një çështje që është e rëndësishme për qeverinë që ndërlidhet me të drejtat e njeriut…”.
”Nuk kemi nevojë ta procedojmë pa u siguruar që kalon. Por unë jam e bindur që shumë shpejt do ta procedojmë dhe mund të kemi sukses në përpjekjen tonë”, shprehet Haxhiu.
Teksa flet për opozitën përmend edhe rastin e Astrit Deharit, ku thotë se përgjegjës, siç shprehet ajo, të vrasjes më të rëndë në Kosovë, janë të gjithë ata që kanë qenë para shtatë vitesh në qeveri.
Haxhiu përmend prioritetet dhe planet për vitin 2024, ku shprehet se do të vazhdohet me procedimin e ligjeve që ndërlidhen me reformë në drejtësi.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zotohet se brenda mandatit të saj do të jetësohen premtimet e qeverisë për sistemin e drejtësisë.
/Demokracia